Hoti: Qeveria e re me figura të pastra, reciprociteti do të hiqet, nuk e diskutojmë sovranitetin

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 22:37 | Nga Ekonomia Online

Mandatari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të enjten se pjesa e zhvillimit ekonomik do të jetë qenësore në ndërtimin e një koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën dhe minoritetet.

“Luftimi i pandemisë do të jetë prioriteti kryesor . Ne si qeveri do ta përmbyllim besoj për dy ose tre javë fazën emergjente të përballjes me pandeminë. Pastaj do të koncentrohemi në gjendjen ekonomike e cila ka pësuar shumë gjatë kësaj faze. Çështja e tretë është dialogu si dhe rikthimi i raporteve të mira me SHBA-të dhe aleatët tjerë të Kosovës. Poashtu prioritet do të jetë edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Hoti në një intervistë në Pressing të T7.

Ndër vendimet e shpejta të qeverisë së re, sipas Hotit do të të jetë edhe heqja e reciprocitetit me Serbinë.

“Taksa është hequr bile është hequr pa përfitu asgjë Kosova. Do të hiqen masat e reciprocitetit në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. As tarifa as masat e reciprociteti nuk i shërbejnë Kosovës nëse nuk e kanë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë Hoti.

Ai ka folur edhe për përbërjen e qeverisë e cila siç tha Hoti do të përbehet nga figura të reja dhe të pastra.

“Kjo qeveri në masë të madhe do të jetë qeveri e dialogut. Deri tani nuk kemi diskutuar për ndarjen e ministrive por orientimi është të kemi 15 ministri”, ka thënë Hoti.

Sipas tij bazë në dialog do të jetë respektimi i Kushtetutës së Kosovës dhe vendimeve të saj që thonë se qeveria e udhëheq dialogun.

“Për çështje të integritetit territorial, për sovranitetin nuk diskutojmë “, ka thënë i mandatuari i LDK-së për kryeministër.

Të ngjashme