Hoti: Sapo të dështojë PAN-i, LDK-ja do të jetë konstruktive për krijimin e Qeverisë

Prishtinë | 28 Qer 2017 | 13:08 | Nga

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti e ka ripërsëritur edhe njëherë se në momentin që PAN do të dështojë ta formojë Qeverinë, atëherë LDK do të bashkëpunojë me partitë tjera për ta themeluar Qeverinë.

Këto deklarata Hoti i ka bërë gjatë takimit që ka pasur sot me ambasadorin austriak në Kosovë.

“Sot takova Ambasadorin e Austrise ne Kosove. Biseduam për bashkëpunimin e Ministrisë se Financave dhe Qeverinë e Austrisë ne kuadër te programit të kredive te buta për financimin e projekteve komunale në vlerë prej 30 mil euro. Marrëveshja është ratifikuar dhe do te zbatohet së shpejti. Biseduam edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit te dyfishte, pasi tani janë kryer negociatat me sukses.

Biseduam edhe për zhvillimet politike. E sigurova se LDK do te jete konstruktive ne procesin e themelimit te institucioneve. E qartësova se ne do te bashkëpunojmë me forcat politike ne Kuvend për te themeluar Qeverinë sapo të dështojë përpjekja e koalicionit PAN”, është shprehur Hoti.

Zyrtari i LDK’së ka thënë se Kosovës i duhet Qeveri proevropiane, që siguron qeverisje me duar të pastra, ku sundon rendi dhe ligji. “Një qeveri që ruan rendin kushtetues të Kosovës dhe punon ne konsolidimin e shtetësisë dhe promovimin e fqinjësisë se mirë. Këtë qeveri mund ta sigurojë vetëm LDK”, ka përfunduar ai.

Ndryshe Hoti ka marrë 112 mijë e 882 vota të numëruara nga kutitë e 11 qershorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme