Hoti: S’bëjmë pazar me LDK-në, qeverinë e bën PAN

Prishtinë | 21 Qer 2017 | 18:56 | Nga

Rexhep Hoti, nënkryetar i PDK-së në një prononcim për Gazetën Observer ka thënë se formimi i Qeverisë së re do të bëhet nga koalicioni që i ka fituar zgjedhjet.

Ai ka thënë për gazetën se PAN nuk e ka fare në konsideratë opsionin që LDK-së t’i ofrohet posti i kryeministrit.

“Jo, nuk bëjmë pazare të tilla, përfundimisht jo. PAN-i është koalicioni fitues i zgjedhjeve, dhe fituesi bën projekte për formimin e Qeverisë, sepse ne i kemi fituar zgjedhjet në kuptimin ligjor. Pra, është detyrë kushtetuese e PAN-it me formuar Qeverinë. Me kandidatin Ramush Haradinaj do ta formojmë ekzekutivin dhe kjo është një punë e kryer”, ka deklaruar ai.

Duke folur për vendimin e partisë që është në koalicion me PDK-në e AAK-në, NISMA për Kosovën, që në Kuvend të funksionoj si grup i vetëm parlamentar, Hoti ka thënë se është e drejtë e tyre që të vendosin për një gjë të tillë.

“NISMA nuk është shkëputur nga PAN-i. Ata do të operojnë si grup i vetëm parlamentar në Kuvend dhe është drejtë e tyre. Të njëjtën mund ta bëjnë edhe AAK-ja edhe PDK-ja, pra të jenë si grupe të vetme parlamentare brenda Kuvendit”, ka thënë ai.

Ndërkaq sa i përket numrit të deputeteve që do t’i ketë PDK-ja në legjislacionin e ardhëm, Hoti tha se po presin të dhënat zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Ne e dimë saktë se sa deputetë i kemi, por preferojmë të presim kur KQZ-ja bën zyrtarisht certifikimin e tyre” ka përfunduar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme