Hoti: SHBA-ja, ndihmuese kreative e procesit të ri të dialogut

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Avdullah Hoti e ka quajtur ndihmuese kreative të procesit të ri të dialogut përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, përfshirja e SHBA-së në këtë proces është bërë për të prodhuar marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë, e që, sipas Hotit, duhet të kulmojë me njohje reciproke.

Në interpelancën në Kuvend të Kosovës, Hoti ka thënë se tash Kosova është në rrethana të reja në dialog, pak ditë pasi të dy shtetet do të takohen në Washington me ftesë të të dërguarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Të gjetur në një situatë, pa vullnet politik nga të dyja palët për të hapur alternativa të reja dialoguese dhe me vullnet anemik të BE-së, faktori amerikan pranoi të jetë jo më arbitër jashtë palëve, por ndihmues kreativ i një procesi të ri i cili nuk rrjedh vetëm për të konsumuar vetveten, por për të prodhuar marrëveshje paqeje që duhet të kulmojë me njohje reciproke. Jemi në rrethana të reja, ku për herë të parë ne jemi jo vetëm aktorë, por edhe protagonistë në kuadrin që po ndërtohet për të arritur marrëveshjen për njohje reciproke. Kosova ka interes jetik të përmbyllë konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare përmes çarjes së rrethimit që ka sjell konflikti i ngrirë me Serbinë”, ka thënë ai para deputetëve.

Hoti ka thënë se “momentumi i ri ndërkombëtar BE-SHBA, për Kosovën vjen në një kohë kur grupime politike populiste, jo vetëm s’patën guximin të marrin përgjegjësi për t’i dalë në mbrojtje subjektivitetit dhe sovranitetit të Republikës, por i rrezikuan përmes barrikadimit dhe humbjes së miqve”.

Ai ka thënë se heqja e barrierave tarifore nga qeveria e udhëhequr nga ai, ishte “veprim i vullnetit të mirë për t’i dhenë shtysë projektit politik për betonimin e subjektivitetit të Republikës”.

Të ngjashme