Hoti: Shqetësuese nëse Contour Global u tërhoq për shkaqe politike

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 20:29 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti e sheh shqetësues faktin që kompania Contour Global ka ndërprerë planet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se nëse tërheqja e këtij investitori – prapa të cilit ka qëndruar qeveria amerikane – nga Kosova ka ndodhur për arsye politike, atëherë kjo duhet ta shqetësojë Qeverinë e Kosovës.

“Është shqetësuese. Në rast se njëra nga arsyet e tërheqjes nga ky projekt është edhe për arsye politike, atëherë është shqetësuese për Qeverinë e Kosovës. Kushdo që e intepreton ndryshe bën gabim të madh politik, nëse e relativizon në atë masë sa e bën të parëndësishëm tërheqjen e këtij investitori nga Kosova. Prapa këtij investitori ka qëndruar Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë duhet ta ketë të qartë secili politikan në Kosovë”.

“Projekti ka pasë dhe ka ende plot të panjohura si p.sh sa do të jetë kostoja e furnizimit me energji elektrike, por mbi të gjitha ne gjithmonë jemi nisur nga parimi i nevojës që ka shteti i Kosovës për furnizim stabil me energji elektrike”.

Hoti ka ngritur shqetësime se nëse në vitet e ardhshme nuk do të ndërtohen termocentrale të reja, atëherë Kosova do të përballet me problemin e furnizimit stabil me energji elektrike.

“Nëse nuk ndërtohen termocentrale të reja në vitet e ardhshme, ne nuk kemi furnizim stabil me energji elektrike. Kjo është e qartë dhe bazuar në këtë, disa qeveri me radhë janë marrë me këtë projekt, sepse ky projekt nuk është i ri”.

“Ka filluar prej viteve 2006-2007, derisa ideja për të ndërtuar një termocentral me 2000 megavatë është prej vitit 1987. Është reduktuar dhe ndryshuar me kalimin e viteve dhe kemi ardhë deri te versioni i fundit për të cilin është nënshkruar një parakontratë me qeverinë e mëparshme”.

“Ne si qeveri e re e themeluam komisionin ndërministror – të përbërë nga pesë ministra – për të menaxhuar me këtë projekt dhe ne prisnim që ky komision të sjellë informata në qeveri se në çfarë faze është ky projekt dhe çfarë duhet të bëjmë ne si qeveri për të çuar këtë projekt përpara. Tërheqjen e tyre e kemi marrë vërtet me shqetësim, dhe sapo ta kalojmë këtë situatë në të cilën po kalojmë si shoqëri duhet ta adresojmë urgjentisht çështjen e furnizimit stabil me energji elektrike”.

Të ngjashme