Hoti s’ka datë se kur do të mbahet tryeza për Presidentin, thotë se më këtë po merret Mustafa

Prishtinë | 09 Dhj 2020 | 16:31 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, dhe nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do të mbahet tryeza e partive politike për çështjen e Presidentit. Ai ka thënë se më këtë po merret kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, raporton Ekonomia Online.

Pas një vizite që i bëri sot Komitetit Olimpik të Kosovës, Hoti përsëriti se nëse nuk ka gatishmëri për të zgjedhur presidentin, duhet të pajtohen me partitë për datën e zgjedhjeve.

“Unë pres që sa më parë të organizohet tryeza e partive politike, për të parë gatishmërinë e partive politike për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit. Nëse ka gatishmëri tek pastaj ne duhet të ulemi dhe bisedojmë cilën qasje duhet të ndjekim. Çfarë propozime, ne kemi dëgjuar në medie që janë dhënë propozime të ndryshme nga disa prej partive politike, por ne duhet të ulemi në tryezë të partive politike parlamentare për të bërë pyetjen elementare. Ka gatishmëri për gjetur zgjidhje për president, nëse ka mandej do të caktojmë kriteret, qasje për të dalë tek emri konkret i presidentit. E nëse nuk ka gatishmëri ne duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve”, tha ai.

I pyetur se kur mund të organizohet ky takim, Hoti tha se po bëjnë përpjekje që të realizohet sa më shpejtë i njëjti.

“Kryetari Mustafa është duke u marrë me këtë çështje…nuk e di besoj që po…nuk mund të them datë, por po bëjmë përpjekje që të realizojmë”, u shpreh ai.

Në pyetjen tjetër sa i përket mundësisë që anëtari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të kandidohet për kryetar të Prishtinës, Hoti tha se asnjëherë nuk kanë diskutuar për një gjë të tillë në parti.

“Nuk kemi biseduar, nuk jemi në atë pikë”, tha ai.

Të ngjashme