Hoti prezanton planin për Fondin e ri Pensional dhe rritje pensionesh 40%

Prishtinë | 06 Qer 2017 | 13:01 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një vizite që i ka bërë të martën Lidhjes së Pensionistëve, prezantoi planin e tij për krijimin e Fondit Pensional, rritjen e pensioneve për 40% dhe heqjen e pragut nga 15 në 10 vite përvojë pune për pensionistët kontributdhënës.

“Programi ynë parasheh tri pika kryesore për pensionistët. Ulja e përvojës së punës nga 15 në 10 vite për ta përfituar pensionin kontributdhënës. Njohja e përvojës së punës gjatë viteve të 90-ta dhe krijimi i Fondit Pensional, i cili do të themelohet me ligj për të siguruar që pensionet të rriten së paku për 40% në krahasim me ato që janë tash”, ka thënë Hoti.

“Pensionistët janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë, unë i kam të dy prindërit pensionistë dhe e di mirë se çka i duhet një pensionisti. U garantoj në emër të LDK-së dhe partnerëve të koalicionit se do të punojmë shumë që edhe më tutje t’i përmirësojmë kushtet e pensionistëve tanë, që ata të jetojnë një jetë të qetë me familjet e tyre”, ka theksuar Hoti.

Hoti ka potencuar se pa pensione nuk do të mbesin as ata që nuk kanë qenë kontributdhënës. “Edhe atyre që nuk kanë kontribuar do t’u takojë një pension bazik. Ne dëshirojmë që edhe ata të trajtohen me dinjitet dhe Fondi Pensional do shërbejë për këtë. Ne do ta ruajmë stabilitetin financiar si deri më tani. Për realizimin e këtij programi ne na duhet një mbështetje e fuqishme me datë 11 qershor”, ka thënë Hoti në fund.

Edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka premtuar mbështetje më të madhe për pensionistët. “Ne qëndrojmë fuqishëm prapa fjalëve të kryeministrit në ardhje, zoti Avdullah Hoti. Jemi krenarë për këtë kandidat të koalicionit tonë, i cili synim e ka mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Ne nuk do të kursejmë asgjë që të japim kontributin maksimal për ta bërë një shtet të fuqishëm, për një jetë më të mirë për qytetarët, prandaj nuk ekziston asnjë arsye për të ndryshuar diçka në këtë program”, është shprehur Pacolli

“E di që keni pasur takime edhe me palën tjetër, por ju garantoj që ne nuk e kemi ndërmend t’u mashtrojmë. Do t’i implementojmë të gjitha pikat dhe ato nuk janë vetëm premtime koti”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa, përfaqësuesi i Lidhjes së Pensionistëve, Shaban Kajtazi ka thënë kjo organizatë i përfshinë të gjitha kategoritë dhe janë diku rreth 60 mijë pensionistë.

“Periudha e pasluftës për pensionistët ka qenë mjaftë e vështirë. Në vitet e fundit janë bërë kthesa të mëdha, por akoma nuk është arritur qëllimi që pensionet të arrijnë nivelin e dëshiruar. Kërkojmë nga ju që të kthehet me ligj Fondi Pensional”, ka thënë Kajtazi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se me vendimet e saj Qeveria Mustafa ka bërë përmirësime të mëdha të statusit të pensionistëve. Ai ka thëne qeveria e re, nëpërmes programit të saj, parasheh përfitime dhe kujdes shumë më të madh për të gjithë pensionistët.

 

Të ngjashme