Hoti takon Arne Bjornstad, diskutuan për dialogun me Serbinë

Prishtinë | 14 Sht 2020 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Bjornstad, i cili shoqërohej nga ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl.

Me këtë rast, kryeministri Hoti e ka njoftuar Bjornstad për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, veçmas për menaxhimin dhe parandalimin e pandeminë COVID–19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Duke folur për agjendën dhe orientimin e integrimit të plotë euroatlantik të Kosovës, Kryeministri Hoti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat. Në këtë kontekst, ai pohoi se të dyja vendet duhet ta thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin dypalësh në interes të dy vendeve dhe popujve tanë.

Gjithashtu, në këtë takim është biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me këtë, kryeministri Hoti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë, e cila do të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

Ndërsa, Përfaqësuesi Special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor z. Arne Bjornstad, e falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen duke thënë se Norvegjia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme