Hoti: Tryeza e partive politike duhet të ndërpritet, aty po shtyhen agjendat e partive politike

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 16:52 | Nga

Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Enver Hoti, duke folur për tryezat e mbajtura të partive politike, ka thënë se kjo praktikë do të duhej të ndërpritej.

Ai ka thënë për Telegrafin se takimet e deritanishme nuk kanë qenë të frytshme, duke theksuar sipas tij, se në këtë mënyrë po tentohet që të anashkalohen institucionet e vendit.

“Partitë politike kanë arsye të ulen në tryezë dhe të diskutojnë, por përmes këtyre tentativave nuk do të ketë rezultate, sepse po devijohet nga qëllimi i tyre dhe po kthehet në agjenda të partive politike”, ka shtuar Hoti.

Ai më tutje ka thënë se cikli i takimeve të subjekteve politike po kthehet në një çështje të humbur dhe shterpë.

Hoti ka theksuar se nuk e di nëse partia e tij do ta organizojë tryezën e radhës, e që sipas tij, këtë vendim e merr kryetari dhe kryesia e Nisma-s.

“Unë konsideroj se opozita e ka humbur rrugën drejt një opozitarizmi të vërtetë, kur del dhe kundërshton me fakte dhe argumente, e përmes këtyre takimeve tentojnë të ngrisin tema ose individë të caktuar”, ka shtuar Hoti.

Ndryshe, deri më tani janë mbajtur tri takime të partive politike, fillimisht takimet janë organizuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe e fundit është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje (VV).

Të ngjashme