Hoxha: Deklarata e Stoltenbergut për ushtrinë, hap pozitiv por dhe sfidues

Prishtinë | 01 Kor 2017 | 11:48 | Nga Bashkim Bekolli

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ditë më parë deklaroi për mediet serbe se pa përmbushjen e disa kushteve, apo pëlqimin e përfaqësuesve të pakicave etnike në Kosovë nuk do të ketë transformim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Stoltenberg gjithashtu ka thënë se është e rëndësishme që shndërrimi i FSK-së në ushtri të kryhet në përputhje me të gjitha rregullat dhe Kushtetutën.

Këtë deklaratë të zyrtarit të NATO-s, profesori i çështjeve të sigurisë, Abit Hoxha e sheh si qëndrim të qartë edhe të BE-së dhe Washingtonit.

Hoxha në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se interpretimi i kësaj deklarate qartëson se NATO e dëshiron ushtrinë, por jo në mënyrë aq të thjeshtë.

Ai ka thënë se kjo deklaratë sa është pozitive, po aq edhe sfiduese për lidershipin kosovar.

“Unë këtë e shoh si hap shumë pozitiv, por edhe sfidues për shtetin e Kosovës. Sfidë të cilën duhet kaluar lidershipi i Kosovës duke bashkëpunuar edhe me subjekte politike që deri më tani kanë qenë më të vështira në këtë aspekt”, ka thënë ai.

I pyetur nëse Kosova duhet të bëjë prapë një kompromis me Serbinë për çështjen e ushtrisë, Hoxha ka thënë se kjo nuk do të ndodhë. Ai themelimin e ushtrisë e sheh si shumë pozitive edhe për vet serbët që jetojnë në Kosovë.

“Unë nuk shoh këtë veprim si punë kompromisi në dëm të Kosovës por e shoh si çështje praktike, pra serbët dëshirojnë të krijojnë kushte të vetë-administrimit në disa aspekte dhe institucionet e Kosovës duhet të punojnë në këtë aspekt. Ky veprim bile duhet parë si mundësi e mirë për t’i integruar pjesët veriore të Kosovës në gjirin e Kosovës dhe për ta forcuar sundimin e ligjit në veriun e Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe Hoxha beson se ushtria e Kosovës nuk mund të krijohet në kushte të përkohshme dhe afatshkurtra, por duhet krijuar në bazë të themelit të shtetit të Kosovës, pra në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme