Hoxha: Fuqizimi i rolit të grave vendimtar në procesin e integrimit

Prishtinë | 21 Shk 2018 | 10:30 | Nga

Ministria e Integrimit Evropian ka organizuar konferencën “Dimensioni gjinor i procesit të Integrimit Evropian në Kosovë”.

Ministrja, Dhurata Hoxha, tha se fuqizimi i rolit të gruas është prioritet i shoqërisë kosovare, raporton Ekonomia Online.

“Gjithsesi që fuqizimi  i rolit të gruas në biznes dhe ndërmarrësi është prioritet i shoqërisë kosovare. Është kënaqësi që çdo ditë e më shumë shohim gra të fuqishme në profesione të ndryshme, duke portretizuar fuqizimin e gruas si një qëllim të përbashkët që na bashkon përtej vështirësive sociale ekzistuese në Kosovë.

Hoxha shtoi se roli i grave është vendimtar në procesin e integrimit, ngase barazia gjinore është ankoruar si një vlerë e përbashkët e shteteve anëtare të BE-së.

“Rruga e integrimeve evropiane e Kosovës mund të na ndihmojë të përparojmë në këtë drejtim. Barazia gjinore është ankoruar si një vlerë e përbashkët e shteteve anëtare të BE në Traktatin e Lisbonës të vitit 2007. Ajo shprehet gjithashtu në Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore, neni 23, i cili parasheh që Barazia midis burrave dhe grave duhet të sigurohet në të gjitha fushat, duke përfshirë punësimin, punën dhe pagën”.

Hoxha tha se në kuadër të zbatimit të MSA-së Qeveria do të punojë në disa drejtime sa i përket fuqizimit të gruas, raporton EO.

“Në kuadër të MSA-së Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë në disa drejtime sa i përket fuqizimit të gruas. Masat e parapara janë të reflektuara nëpër kapituj të ndryshëm të MSA-së. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në implementimin e këtyre masave, të cilat do të përmirësonin dukshëm rolin e gruas në shoqërinë kosovare”.

“Vlen të theksohet që Programi i Qeverisë 2017-2021 definon se reforma strukturore në arsim fokusohet në rritja e pjesëmarrjes dhe qasja e barabartë në arsim, sigurimin, garantimin dhe rritjen e cilësisë së arsimit, menaxhimin e institucioneve të arsimit, integrimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, promovimin e shkencës dhe hulumtimeve, dhe financimin e arsimit dhe shkencës përmes rishikimit të formulës së financimit”.

Sipas saj, kur gratë dhe burrat nuk kanë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në vendimmarrje, kjo ka kosto të drejtpërdrejtë ekonomike dhe sociale.

“Kur gratë dhe burrat nuk kanë qasje të barabartë në resurse apo mundësi të barabarta për të marrë pjesë në vendimmarrje, kjo ka kosto të drejtpërdrejtë ekonomike dhe sociale. Kjo mungesë e barazisë ndikon kryesisht jetën e grave, por gjithashtu ka pasoja edhe për fëmijët e tyre, komunitetin dhe vendin në përgjithësi”.

Ajo tha se pabarazia dëmton themelet e shoqërisë prandaj duhet të shihet edhe si humbje e potencialit njerëzor.

“Ne të gjithë pajtohemi që pabarazia dëmton themelet e shoqërisë prandaj barazia gjinore nuk duhet të shihet vetëm nga aspekti i të drejtave të njeriut por duhet trajuar edhe si një humbje e potencialit njerëzor. Në këtë drejtim institucionet e Kosovës ende kanë punë, ato duhet të sigurojë që legjislacioni ekzistues që adreson barazinë gjinore të zbatohet në mënyrë efektive, duke siguruar kështu që gratë të kenë mundësi të barabarta ekonomike, politike dhe shoqërore me meshkujt”.

“Në këtë drejtim ne duhet të fokusohemi në disa fusha ku barazia gjinore duhet fuqizuar për të dhënë rezultatet e duhura në nivel vendi. Në fushën e arsimit duhet kushtuar vëmendje sepse baza e barazisë gjinore fillon në sigurimin e arsimimit të barabartë. Si e tillë, duhet të adresohet urgjentisht problemi i rasteve kur vajzat braktisin shkollën për çfarëdo arsye qoftë”.

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, tha se gratë në vendimmarrje kanë një kualitet të lartë të lidershipit.

“Më duhet të shoh edhe burra që janë ul në këtë tavolinë, nuk është vetëm projekt i grave që të flasin për pavarësinë e tyre. Gratë në vendimmarrje të brendshme kanë një kualitet lidershipi, nëse është në administratë publikë në biznes dhe shoqëria që nuk e. përdor këtë potencial i mungon gjysma e potencialit të shoqërisë”.

Edi Gusia, kryshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, tha se mungesa e barazisë gjinore shfaqen edhe në dokumente që i ofrojnë institucionet.

“Proceset e integrimit evropian nuk kanë filluar me elementin e aspektin gjinorë, kjo është një mangësi sepse kanë të bëjnë me mungesë vlerash. Ne kemi filluar ta shohim procesin e barazisë gjinore por ajo ende është mbetur në margjinat e integrimit”.

Image may contain: 5 people, people sitting and crowd

Të ngjashme