Hoxha: Gjykata Speciale e padrejtë, por duhet respektuar obligimet ndërkombëtare

Prishtinë | 12 Jan 2018 | 08:30 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale për Kosovën.

Në një deklarim për Ekonomia Online, Hoxha ka thënë se sado e padrejtë që kjo gjykatë është në rastin e Kosovës, shteti duhet të tregohet serioz dhe t’i respektojë obligimet e marra ndërkombëtare.

Qëndrimi i Hoxhës është në vijë me atë të shefit të partisë, Kadri Veseli, të shprehur para disa ditësh në një shkrim të gjatë në medie, por jo dhe me shefin e saj në Qeveri – Ramush Haradinaj.

“Kryetari i PDK-së, Veseli, njëherësh kryetar i Kuvendit, ka qenë shumë i qartë në deklarimin e tij në lidhje me gjithë këtë situatë që u bë. Dhe mendimin e njëjtë e ndaj edhe unë; kuptohet jam anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Mendoj se sado e padrejtë që është kjo Gjykatë Speciale në rastin e Kosovës, ne duhet të vazhdojmë t’i përmbushim obligimet tona ndërkombëtare dhe të tregohemi shtet serioz”, tha Hoxha.

“Edhe kryetari Veseli e ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së raporteve të mira me bashkësinë ndërkombëtare”.

“Por çka është më shumë e rëndësishme, duhet të tregojmë seriozitet ne si shtet kur marrim përsipër obligime ndërkombëtare, t’i respektojmë ato”, theksoi ministrja Hoxha.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dyshohet se “janë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000”. Hetimi pati si pikënisje raportin e senatori zviceran, Dick Marty, të përgatitur për Këshillin Evropian.

Në fund të vitit që shkoi, 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës ndërmorën një nismë për shfuqizimin e Gjykatës. Nisma nuk u paraqit në Kuvend për mungesë të kuorumit, por është paralajmëruar se ajo do të sillet sërish në seancë, raporton EO.

Nisma nuk është kundërshtuar as nga liderët e institucioneve qendrore. Madje, disa medie kanë spekuluar se nisma mund të jetë e nxitur nga presidenti Hashim Thaçi, emri i të cili përmendet si i akuzuar potencial.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar disa herë se Gjykata Speciale është e padrejtë për Kosovën dhe se “Qeveria do ta respektojë vendimin nëse 61 deputetë votojnë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale”.

Së fundi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka theksuar se Kosova e ka merituar më së paku që t’i ndodhë Gjykata Speciale. “Por ajo do të ndodhë, edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj”.

Shkrimi i Veselit erdhi pas reagimeve të ashpra nga Ambasadat e Quintit në Kosovë që kërkuan që Kosova të heqë dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo rinegociuar çfarëdo pjese të Ligjit për Gjykatën e Posaçme.

“Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në territorin e saj”, thuhej në deklaratën e përbashkët të ShBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

Të ngjashme