Hoxha i PDK-së: Baloni i VV-së do të shpërthejë, kjo parti do të zvogëlohet

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK’së, Sejdi Hoxha ka qenë i ftuar sot në emisionin Frontal në T7 ku ka folur për situatën aktuale politike në vend, menaxhimin e situatës me koronavirus nga qeveria aktuale si dhe nëse Partia Demokratike mund të votojë krijimin e një qeverie të re.

Hoxha ka deklaruar se PDK’ja ka mbetur jashtëzakonisht e konsoliduar edhe në zgjedhjet e gjashtë tetorit.

“PDK mbeti jashtëzakonisht e konsoliduar, pas disa viteve qeverisje t’i ruajmë 180 mijë vota, nuk janë të lehta, kryetari Veseli po e ruan konsistencën e tij me qëndrime të qarta. E ka dëshmuar se PDK nuk e do vetëm pushtetin, por, shtetin. PDK do të vazhdojë në opozitë”, tha ai.

I njëjti shton se qeveria LVV – LDK, nuk ka pasur plan për bashkëqeverisje.

“Më vjen keq që kjo qeveri ka shku në fomën qysh ka ardhë, s’kanë pas një plan çka në realitet kanë me bo qytetarët. Ditën e votimit na kanë sjell një dokument një lloj programi, që shumë premtime s’janë fut as në ligjin për buxhetin. Nuk e kemi pritë që këta dorëzohen e ngritin flamurin e bardhë kur më së shumti i duhen qytetarëve, këtë prishje të koalicionit e kanë bë LVV  e LDK. Mendoj që shumë më burrnore ka qenë që LDK ta prishë koalicionit pas prishjes së raporteve me SHBA’në se sa kur u shkarkua ministri”, tha ai.

Hoxha ka kritikuar qeverinë Kurti duke thënë se të njëjtit nuk është dashur që të lejojnë mjekët serb të hyjnë në Kosovë.

“Është nënçmim për mjekët tanë sepse ata është dashtë të jenë të pranishëm edhe te komuniteti serb edhe te komunitetet tjera”, tha ai. I njëjti madje shton se qeveria Kurti ka ndihmuar komunat me shumicë shqiptare në Serbi vetëm pas reagimeve të PDK’së.

“Është hap i mirë po i vonuar, ka ardhë pasi që kryetari i PDK’së ka bërë biseda me kryetarët e komunave me shumicë shqiptare në Serbi, sigurisht këtë vendim e ka marrë pas deklaratave të kreut të PDK’së, Kadri Veselit. E ka bërë për të mos e kritikuar opozita se nuk është interesuar”, thotë ai.

Deputeti i PDK’së thotë se Vetëvendosje është një balon i fryer që do të shpërthejë, e se kjo parti do të zvogëlohet jashtëzakonisht shumë.

“Unë këtë parti e vlerësoj si një balon i fryer që ka manipulu qytetarët moment shumë i afërt që ky moment ka me shpërthy dhe kjo lëvizje ka me u thy sepse nuk ka asnjë bastion në komuna, ka entuziast, po unë jam shumë i bindur që ky balon ka me shpërthy dhe kjo parti ka me zvogëlu jashtëzakonisht shumë. Qytetarët kanë me vërejte që i kanë mashtru, duke lujt me ndjenjat e tyre. Mashtrime më klasike nuk ka pasur asnjë lider në Republikën e Kosovës”, thotë ai, teksa shton se PDK’ja ka pasur një platformë ekonomike të jashtëzakonshme.

“Kryetari Veseli ka pas një platformë ekonomike jashtëzakonisht të mirë që e ka bërë publike dhe në media dhe unë mendoj që ka qenë plani më i mirë i mundshëm për ta përmirësu problemin ekonomik në Kosovë. Përveç planit të mirë e ka pas guximin. Ka qenë pikërisht ai që ka marrë vendim që të gjitha pronat e uzurpuara të lirohen.

Do të jemi të pa kompromis si opozitë në dështimet që i bën qeveria karshi qytetarëve”, shton ai.

I njëjti thotë se PDK’ja nuk do të votojë qeverinë  e re e se kanë bërë në kohë rekord dy shkelje të kushtetutës.

“Fillimisht, fare s’na bën përshtypje a i kanë votat partitë politike. Në momentin që ftohet seanca shkojmë në Kuvend, i kemi të qartë deklarimin e liderit tonë që ne nuk do ta votojmë asnjë qeveri, jemi në një situatë shumë të rëndë, fati është që po zvogëlohet numri i të infektuarve, qëndrimi ynë është ai që ka deklaruar kryetari Veseli. Kjo qeveri në kohë rekorde ka bërë dy shkelje kushtetuese”, tha ai.

Ai ka komentuar edhe rastin tragjik që ndodhi ditë më parë në qendrën e studentëve.

“Agoni ka vuajt nga sëmundja edhe kjo është edhe në kërkesën qe e ka bë prindi, edhe në shënimet e ambasadës vjen, prindi del ta merr në aeroport dhe nuk lejohet. Pas kësaj kemi edhe emaila të tjerë fillimisht nga Qendra e Mjekësisë në Gjilan dhe ekipa që e ka vizituar në QS, e kjo ka bërë që të kryejë aktin e hedhjes nga katet e larta. Këtu është një papërgjegjshmëri e madhe e ministrit Vitia dhe Svecla që është dashtë të jepnin dorëheqje si akt moral”, shtoi i njëjti, teksa kritikoi edhe shkarkimin e bordeve të kompanive publike.

“Është e paimagjinueshme qysh një qeveri e shkarkuar në detyrë i shkarkon të gjitha bordet. Në qoftë se ka keqpërdorime që dihen nga raportet e Auditimit, të denoncohen në prokurorinë e shtetit. I hoqi njerëzit që janë aktual i vendosi njerëzit politik. Nuk shkelet ligji me përqindje”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme