Hoxha në Paris, kërkon mbështetje për heqjen e vizave

Paris | 30 Maj 2018 | 20:22 | Nga

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar sot në Pallatin d’Orsej në Paris, ministren për Çështje Evropiane, Nathalie Loiseau, me të cilën diskutoi për procesin integrues, liberalizimin e vizave dhe përkrahjen e këtij procesi nga Franca.

Sipas një njoftimi nga MIE, ministrja Hoxha ka theksuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara për liberalizimin e vizave, andaj, ka theksuar ajo, pret përkushtimin e vendit mik, Francës që të përkrah lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, procesin integrues si dhe integrimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.

“Gjatë takimeve të sotme, në veçanti me Ministren Loiseau, kam kërkuar përkrahjen e Francës për vendin tonë. Kosova dhe qytetarët e saj, janë të bekuar me miqësinë e Francës, ndikimit të saj global për Kosovën, në veçanti në BE.

Andaj, edhe sot, kërkova përkrahjen e Francës për proceset integruese dhe liberalizimin e vizave nga Ministrja e çështjeve evropiane, pranë institucioneve të BE-së”, theksoi ministrja Hoxha. Po ashtu, Ministrja Hoxha kërkoi përkrahjen e Francës për njohjen nga vendet frankofone dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare.

Ministrja Loiseau siguroi Ministren Hoxha për mbështetjen e Francës ne procesin integrues te Kosovës si dhe përgëzoi Ministren për reformat dhe punën që po bëjnë institucionet, duke kërkuar që kjo punë të vazhdojë edhe më tutje dhe Kosova të implementojë MSA-në dhe të ndërmarrë reformat e nevojshme.

Ministrja Hoxha, ftoi ministren Loiseau për një vizitë në Kosovë, për t’u njohur nga afër me përkushtimin institucional gjithëpërfshirës në procesin integrues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme