Hoxha: Nëse s’kalon demarkacioni liberalizimi shtyhet deri më 2020

Prishtinë | 10 Mar 2018 | 15:23 | Nga

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, po u bën thirrje ligjvënësve që ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi. Thotë se ky është kushti i vetëm që të liberalizohen vizat. Për Express-in, ministrja nga radhët e PDK-së, vlerëson se kriterin për ta luftuar korrupsionin e kanë plotësuar. Por, pranon se lufta kundër kësaj dukurie duhet intensifikuar. Çfarëdo shtyrje për ta votuar marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, sipas Hoxhës, do ta izolojë Kosovën edhe më shumë.

Nëse marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk ratifikohet këto ditë, liberalizimi i vizave nuk mendohet të bëhet para 2020. Këtë e bën të qartë për Gazetën Express, Ministrja për Integrimeve Evropiane. Ajo, thotë se afatet janë të lidhura me agjendën e institucioneve me Brukselin .

Hoxha thekson se rrugën e kosovarëve drejt liberalizimit, e kanë në dorë deputetët që sipas saj, tashmë mund ta vërejnë qartë thelbin e kauzës së filluar për hakmarrje e inate politike.

“Është koha të bëhet dallimi në mes të mirës dhe asaj më pak të mirë për vendin dhe qytetarët. Besoj në votën e secilit deputet pa dallim. Konsideroj se çdo orë e humbur për ratifikimin e demarkacionit, humbin të gjithë qytetarët e Kosovës. Tri vjet tashmë kemi vonesë. Qytetarët janë informuar me detaje të cilat për tri vjet nuk u hoqën nga agjenda politike për pozitë e opozitë, ekspertë e opinionistë, me interpretime ekskluzive, madje edhe të papranueshme për qasjen e kundërt rreth çështjes. Jemi tash ku jemi”, është shprehur ajo.

Janë tri seanca që janë thirrur për Demarkacionin, por që të njëjtat nuk u mbajtën në pamundësi të mungesës së votave. Liderët po tentojnë që marrëveshja të dalë në votim vetëm nëse kur të arrihen votat për ta kaluar marrëveshjen.

E ministrja Hoxha beson fuqishëm se java që vjen, do t’i heq dilemat për rrugën e Kosovës, orientimin e saj dhe interesin nacional.  Ajo shpreson shumë në konsensusin e arritur dhe që të gjithë deputetët, ditët në vijim do të zgjedhin lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë të vërtetën për kushtin e liberalizimit të vizave, kushti themelor është ratifikimi i demarkacionit. Më 2012, Kosova ka pranuar 94 kritere në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Komisioni Evropian, në propozimin për liberalizimin e vizave në Maj 2016, ka kërkuar Ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe Përforcimin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.” ka shtuar ajo ndër tjerash, derisa e bën të qartë se debate për Demarkacionin është konsumuar tash e tri vjet.

Andrew Russell, një përfaqësues i përhershëm i UNDP-së dhe njëherësh koordinator zhvillimor i OKB-së në Kosovë, ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” se nëse nuk ndodh luftimi i korrupsionit në Kosovë, atëherë edhe pas dy apo tre vjetëve do të flasim për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian.

Por, ministrja Hoxha shprehet e bindur se ky kriter është plotësuar. Megjithëse e pranon se lufta ndaj kësaj dukurie duhet vazhduar.

“Konsideroj se kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është i përmbushur. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm që lufta kundër kësaj dukurie duhet intensifikuar edhe më shumë, për këtë janë institucionet e pavarura të drejtësisë. Qeveria dhe Kuvendi kanë krijuar mjedis ligjor në përputhje me standardet Evropiane dhe kemi ofruar resurset financiare për sistemin e drejtësisë”, ka thënë për Express, Dhurata Hoxha.

Ajo beson se edhe institucionet e drejtësisë kanë bërë një punë të mirë e cila do të vlerësohet pozitivisht nga vetë Komisioni Evropian që vazhdimisht është i informuar, dhe thotë se me të drejtë, presin vlerësim pozitiv për këtë.

Por, ajo që duhet të ndodh sipas ministres, është ratifikimi sa më shpejtë  i demarkacionit, sepse çfarëdo shtyrje e ratifikimit të marrëveshjes do të shtynte Kosovën drejt izolimit të mëtutjeshëm jo vetëm nga Bashkimi Evropian por edhe nga skenën ndërkombëtare.

Sidoqoftë, seanca e katërt me rradhë pikërisht për këtë marrëveshje është paralajmëruar të mbahet javën tjetër. Kryeparlamentari Kadri Veseli u ka bërë thirrje të larguarve nga Vetëvendosje që të reflektojnë dhe ta japin votën e tyre pro marrëveshjes. Ai e ka bërë të ditur se i kanë mungesë vetëm edhe dy vota për ta çuar tutje marrëveshjen me Malin e Zi.

Të ngjashme