Hoxha: Nevojitet përkushtim më i madh për zbatimin e reformave drejt BE-së, vonesat janë të patolerueshme

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e Këshillit ministror për Integrim Evropian, nën kryesimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj, Ministrja e Integrimit Evropian si koordinatore e këtij Këshilli, theksoi rëndësinë e veprimit të menjëhershëm që të gjithë akterët relevantë të përmbushin obligimet e tyre drejt integrimit të Kosovës në BE.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi të gjeturat e dala nga Raporti i Vendit nga Komisioni Evropian(KE), Raporti i zbatimit të Agjendës Evropiane të Reformave ( Nëntor 2016 – Janar 2019), Raporti i Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Draft Planin e Veprimit për ERA 2019-2020, si dhe Zbatimin e Rekomandimeve kryesore të dala nga Raporti për vendin, për vitin 2018.

Kryeministri Haradinaj, vuri në pah se Raporti i vendit i KE-së, ka dhënë vlerësimet për të arriturat në vend, por edhe sfidat që na obligojnë në përmirësim.

“Duhet theksuar se disa aspekte të punës sonë, progresit dhe të arriturave nuk janë përfshirë në tërësi, por do t’i përvishemi punës që t’i adresojmë siç duhet. Qeveria e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të përfundojë suksesshëm vendimin për Liberalizimin e Vizave, dhe të shtyjë përpara ambicien e aplikimit për statusin kandidat për Kosovën”, potencoi Kryeministri Haradinaj.

Duke ju referuar raportit për vendin, Ministrja Hoxha ftoi institucionet përgjegjëse të raportojnë mbi ngecjet e identifikuara në fushat përkatësi si sundimi i ligjit, fuqizimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisja e mirë, stabiliteti makro-fiskal, reformat zgjedhore, efikasiteti i Kuvendit dhe i qeverisë.

Ministrja Hoxha potencoi nevojën për të mënjanuar rishfaqjen e sfidave të njëjta ndër vite “Është e papranueshme që një numër i konsiderueshëm prej tyre të na përsëriten ndër vite në raportin e vendit” tha Ministrja duke shtuar se “Le të jetë ky alarmi i fundit për ne për të dëshmuar përkushtimin tonë real ndaj synimeve tona strategjike, ku prioritet mbetet integrimi në BE”.  Ajo I ftoi akterët relevantë që të dalin me një plan konkret se si të tejkalohen këto sfida brenda afateve të caktuara kohore.

Ministrja Hoxha shtoi se është përgjegjësi e jona për të përmbushur obligimet që na takojnë në kuadër të detyrave që kemi marrë përsipër, dhe obligim I joni ndaj qytetarëve të Kosovës. Më tej, në këtë takim u diskutua edhe për zbatimin e MSA-së, në veçanti, prioritetet e identifikuara si në zbatim e sipër, ku Ministrja Hoxha ftoj akterët përgjegjës që të japin shpjegime dhe afate kohore për përmbushjen e tyre.

Në kuadër të hartimit të Agjendës për Reforma Evropiane (2019-2020) apo ERA II, dhe planit të veprimit për realizimin e këtyre prioriteteve, u diskutua për identifikimin e masave të nevojshme  dhe akterët përgjegjës për zbatim. Ministrja shprehu falënderim për kontributin e shoqërisë civile gjatë konsultimeve për këtë proces.

Në këtë këshill, morën pjesë ministra, zëvendësministra, udhëheqës të agjencive, deputetë, anëtarë të Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, bartës të përgjegjësive institucionale për procesin integrues.

Në fund, Ministrja Hoxha theksoi se “Nevojitet një punë, përkushtim më i madh nga ana e institucioneve tona që të adresojnë në mënyrë më efikase sfidat që kemi përpara. Është tejet e rëndësishme që synimi jonë strategjik për integrim në BE të reflektohet në punën e secilit prej nesh. Agjenda e reformave evropiane është udhërrëfyesi më i mirë se ku jemi dhe ku po shkojmë. Prandaj, ju lus që në ditët, javët dhe muajt në vijim, të përkushtohemi më shumë dhe të dëshmojmë se integrimi në BE mbetet prioritet. Të gjithë kemi rol për të luajtur që vlerësimet e tilla të ngjashme të mos përsëritën më, por të mbizotërojnë arritjet dhe progresi jonë të mbetet i pakthyeshëm”.

Si bashkë-kryesuese e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, Ministrja Hoxha deklaroi se takime të ngjashme do të mbahen edhe më shpesh në mënyrë që të sigurojmë një monitorim të mirëfilltë të zbatimin të reformave dhe mbarëvajtjes së procesit. 

Të ngjashme