Hoxha: Programi Kombëtar për MSA-në më cilësor, nuk përfshihet autostrada e Dukagjinit

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 12:10 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Integrime Evropiane ka aprovuar me pesë vota për, Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA), për vitet 2019 – 2023, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se ky program është më i rëndësishmi kombëtar për zbatimin e MSA-së. Sipas saj, programi aktual është më cilësor dhe sasior.

“Është programi i katërt për zbatimin e MSA-së i dakorduar mes BE dhe institucioneve të Kosovës. Qeveria pas një procesi gjithëpërfshirës me 19 mars ka miratuar PKZMSA. Ky dokument është më i rëndësishmi kombëtar për zbatimin e MSA. Sa i përket strukturës ajo vazhdon të jetë e njëjta, kriteret politike, ekonomike duke përfshirë edhe legjislacionin. Dallimi mes programit aktual dhe atij të kaluar vërehet te ai cilësor dhe sasior”, tha Hoxha.

Hoxha shtoi se janë definuar masa që sjellin veprime konkrete dhe numri i tyre është zvogëluar në krahasim me vitin e kaluar. Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimi, sipas Hoxhës, ka 543 masa.

“Ndërsa PKZMSA 2019-2023 ka 400 masa me 240 masa zbatuese dhe 260 masa legjislative. Zvogëlimi i masave është arritur si rezultat i planifikimi më të mirë. 95 për qind të projektligjeve janë pjesë e programit legjislativ që e bën programin më të realizueshëm dhe më reale. Gjatë rishikimit PKZMSA vëmendje i është kushtuar bashkëpunimit mes institucioneve të qendrës së qeverisë, planifikimit të qëndrueshëm dhe realist dhe dokumente të tjera për planifikimin e politikave si dhe kostimit”, u shpreh ajo, raporton Ekonomia Online.  

E para e Integrimit Evropian për Kosovën tha se për shkak të obligimeve që janë  marrë përsipër për projekte buxhetore 2018-2020 janë parapa caqe të zbatimit të PKZMSA-së. Sipas saj, për vitin 2019 janë paraparë të zbatohen 280 masa,  shprehur me përqindje 70 për qind.

“Ka qenë cak prej 60 për qind, për vitin 2019 është parapa 70 për qind. I bie që duhet të zbatohen 280 masa. Objektiv parësor është përcaktimi masave për përmbushjen e detyrimeve nga MSA, përfundimi legjislacionit kombëtar me atë të BE dhe avancimin e politikave dhe ngritjen e kapaciteteve në praktikë. Secili kapitull i PKZMSA ka kërkesa specifika për realizimin e MSA. Kostoja totale e zbatimit të PKZMSA për këtë vit është rreth 94.4 milionë euro. 12.6 milionë janë nga mbështetja e donatorëve ndërsa pjesa tjetër është nga buxheti i shtetit. Sfida kryesore është ngritja e kapaciteteve”, tha Hoxha.

Sipas saj, Kuvendi është një nga shtyllat e këtij programi dhe rol kyç do ketë edhe komisioni parlamentar për integrim evropian. Ajo tha se raporti i parë i këtij programi pritet të publikohet në maj.

“Kuvendi do ndikoj edhe në strukturat e stabilizim asociimit. Sa i përket përmbajtjes është gjithëpërfshirëse dhe me objektiva për zbatimin e MSA përmes përafrimit të legjislacionit kombëtar me atë të BE. Raporti i parë tre mujor për zbatimit të PLZMSA parashihet të publikohet në muajin maj”, tha ajo.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u interesua të dinte për mospërfshirjen e autostradës së Dukagjinit në planin e PKZMSA-së.

Për këtë, ministrja e Integrimit Evropian, tha se programi nuk bën pjesë në rrjetin e autostradave evropiane shkak i së cilës nuk është përfshirë as në plan.

“Sa i përket çështjes pse autostrada e Dukagjinit nuk është përfshirë në këtë program sepse nuk bën pjesë në rrjetin e autostradave evropiane, të korridoreve kyçe që duhet të jetë. Prandaj nuk është në planin e PKZMSA”, tha Hoxha.

Ajo përmendi edhe disa nga sfidat që po u shkaktohen.

“Sfidë tjetër është se zyrtarët ligjorë nuk është vetëm e nevojshme të dinë gjuhën në një nivel të komunikimit por duhet të jetë profesionist. Jemi duke u munduar ti rrisim kapacitetet e përkthimit. Një çështje që po mundohemi ta riaktualizojmë është marrëveshja me Maqedoninë për MSA që hyn edhe përkthimi”.

Ndërsa, shtoi se çdo masë që nuk zbatohet brenda afatit të paraparë, barten për më tej por nuk fshihen për tu lënë pa u zbatuar.

Të ngjashme