Hoxhaj akuzon Qeverinë Hoti për shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria Hoti ka vendosur një standard të ri duke e shkelur për dy javë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës me heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Tarifa është vënë si kundërmasë ndaj Serbisë, ju e keni hequr taksën, reciprocitetin dhe keni hequr dorë nga kandidatura, aplikimi në organizata ndërkombëtare. Pra, i keni bërë tri lëshime për njëlloj zotimi të rrejshëm të Serbisë. Cili është dëmi më i madh i këtij zotimi. Kolegët e VV-së vërtet e kanë vendosur standard të ri sepse për 50 ditë e kanë shkelur dy herë Kushtetutën, por kjo Qeveri ka vendosur një standard të ri se për dy javë e shkeli Deklaratën e Pavarësisë. Citoj pikën e tetë se çfarë thotë: Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë. Me fjalë të tjera, me zotimin që ka bërë Qeveria ju keni hequr dorë prej këtij paragrafi të Deklaratës së Pavarësisë. Kjo është një temë më serioze përtej debatit se kush është në opozitë dhe në Qeveri”, ka thënë Hoxhaj gjatë seancës së sotme parlamentare.

Sipas tij amerikanët do të kishin konsideratë nëse do iu tregohej ky fakt.

“Nëse ju do t’iu thoshit partnerëve amerikanë e kemi të shkruar në deklaratën e Pavarësisë ma merr mendja që nuk do të kërkonin prej juve që me e pas një zotim të tillë. Nëse ju do t’i thoshit partnerëve amerikanë se është edhe në Pakon e Ahtisarit, ma merr mendje se do të kishin konsideratë. Nëse kishit larguar reciprocitetin vetëm për shkak të tërheqjes së njohjeve kish qenë njëfarë bilanci, por keni bërë tri lëshime”, ka thënë ai.

Sipas tij me një veprim të tij Qeveria e ka pezulluar politikën e saj të jashtme.

“Dhe shqetësimet që kam janë këto. Çfarë nënkupton ky zotim, a vlen ky zotim se ne nuk kërkojmë njohje dhe nuk kërkojmë anëtarësim në organizata ndërkombëtare deri të dielën, kur shkon kryeministri në Ëashington. A vlen për komplet 2020, apo vlen për këtë mandat të një qeverie. Dhe a e dini se çfarë i bie, kjo i bie se Qeveria e ka pezulluar politikën e saj të jashtme. Kjo i bie që Ministria e Punëve të Jashtme është Ministri në pauzë. Këto janë tema serioze, kjo është arsyeja se pse i kemi dhënë gravitet këtij debati”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje ai e ka quajtur të gabuar veprimin e kryeministrit Hoti për të shkuar në Bruksel para takimit në Washington.

“Dje mbeta i habitur se si kryeministri ka vendosur të shkojë në Bruksel, para se të shkojë në Uashington. A krejt vëmendja ndërkombëtare është se çfarë ndodhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ëashington. Kur ai të shkojë në Ëashington mund ta pyesin se çfarë ju thanë në Bruksel. Kur e keni një vizitë të deklaruar publikisht tek partneri kryesor, nuk e bën gabimin duke thënë se po shkojë në Bruksel, e pastaj në Ëashington. Vuçiqi po shkon në Moskë dhe prej aty po shkon në Ëashington. Ky është mjaft gabim i madh”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij liderët kosovarë po shkojnë në Ëashington pa parime, pa platformë, pa tema, derisa ka theksuar se janë edhe tri apo katër gjëra që po përfolen se mund të diskutohen atje.

“Mund të diskutohet edhe Unioni Doganor, mund të diskutohet çështja e tregut të përbashkët, të cilin edhe PDK-ja edhe LDK-ja e kanë kundërshtuar. Mundet Unioni Doganor, të cilin po ashtu e kemi kundërshtuar. Mundet mini-schengeni, të cilin të gjithë ne e kemi kundërshtuar. Kam përshtypjen se kur ju të mbërrini të dielën në Ëashington mund të jeni politikisht të papërgatitur, përmbajtësisht, e psiqikisht të papërgatitur për barrën të cilën iu pret”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se PDK-ja është e gatshme që të ndihmojë në procesin e dialogut.

“Ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë për dialog me ju, por zgjeroni pak kontekstin. S’mund të kërkoni bashkëpunim me PDK-në për dialog në mënyrën siç donit ta katapultonit buxhetin. Nëse dëshironi bashkëpunim bëni një listë të temave dhe ulemi bisedojmë mbi kontekstin. Çmimi i gabimeve mund të jetë më i madh se i krejt atyre që kemi bërë deri më tash”, ka thënë Hoxhaj.

Të ngjashme