Hoxhaj apel Bosnjës dhe Hercegovinës për njohjen e Kosovës

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 10:55 | Nga

​Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka bërë thirrje Bosnjës dhe Hercegovinës që të njohin shtetin e Kosovës.

Përmes një interviste dhënë portalit serb të lajmeve N1, Hoxhaj ka thënë se marrëdhëniet me Sarajevën zyrtare janë të mira, ndërsa thotë se me homologun e tij boshnjak është mik i mirë.

“Jam takuar me ministrin e Punëve të Jashtme disa herë, e kam mik të mirë dhe mendoj se është ministër mjeshtër i Punëve të Jashtme. Mendoj se çështja se pse Bosnja nuk e ka njohur Kosovën ka pak lidhje me Sarajevën, ndërsa më shumë me Beogradin.

Do të doja të shihja një politikë të jashtme të pavarur në Bosnje. Dhe mënyra se si e trajton Kosovën është parametër i mirë për të parë se sa të pavarur e ka Bosnja politikën e jashtme”, ka thënë Hoxhaj, transmeton Koha.net.

Veç marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Hoxhaj ka thënë se dëshiron që të ketë edhe shkëmbime tregtare mes dy vendeve, të organizohet ndonjë forum ekonomik në Prishtinë me biznesmenë nga Bosnja, Sarajeva a Banja Lluka.

“Të gjithë janë të mirëseardhur”, thekson ai.

“Por, një gjë që kurrë s’kam arritur ta kuptoj është vendimi i marrë nga Sarajeva për vendosjen e vizave për kosovarët, ndërsa mua, para disa vitesh, kam qenë i detyruar të ndërmarr masa reciproke. Do të doja t’i bëja apel miqve në Sarajevë e t’u thosha se kjo është e gabuar. Imponojmë regjim të vizave për qytetarët tanë në shekullin e 21-të.

Migrimi global i fuqisë punëtore është fenomen. Udhëtoj shumë dhe shoh njerëz nga Azia që vijnë në Evropë, njerëz nga Afrika, në Hemisferën perëndimore. Dhe të mendosh se kemi një situatë ku boshnjakët kanë probleme me ardhjen në Kosovë, iu duhen ditë të presin në ambasadat tona në Zagreb, Shkup apo Podgoricë. Apo se kosovarëve iu duhen ditë të tëra të presin për një vizë boshnjake, është diçka që unë s’e kuptoj në vitin 2017, vërtetë”, ka thënë ministri Hoxhaj për N1.

Ai ka folur edhe për çështjen e formimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, duke thënë se nuk dëshiron të krijohet një Republikë e dytë Serbe në Ballkan, por që ai asociacion të formohet në bazë të marrëveshjes së Brukselit në mënyrë që serbët e Kosovës të kenë një organ i cili mund t’i mbështes ata, t’i koordinojë dhe i cili mund t’ua përmirësojë jetën dhe t’i ndihmojë të integrohen në strukturat shtetërore të Kosovës.

“Këtë e kam thënë më parë sepse në Beograd ndonjëherë disa njerëz japin narrativ të dëmshëm rreth formimit të këtij asociacioni. Ai nuk do të ketë kurrfarë fuqie ekzekutive, do të duhej formuar në kuadër të sistemit të brendshëm ligjor të Kosovës dhe do të duhej t’i ndihmojë serbët që të jenë pjesë e Kosovës dhe përmes tij të promovohet multi-etniciteti i shtetit dhe shoqërisë sonë”, ka theksuar Hoxhaj.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme