Hoxhaj: Bisedimet të prodhojnë një Traktat Paqeje, njohje të ndërsjellët dhe anëtarësimin në OKB

Prishtinë | 11 Nën 2017 | 13:58 | Nga

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, po kërkon që dialogu me Kosovën dhe Serbinë të afatizohet dhe të mos vazhdohet deri në pafundësi. Thotë se rezultati i këtij procesi duhet të jetë anëtarësimi i Shtetit në OKB dhe njohja e ndërsjellë. Për këtë çështje, ai kërkon të përfshihet, përpos Qeverisë, edhe Parlamenti dhe Presidenti.

Enver Hoxhaj, njeriu i dytë në Qeveri, ka deklaruar se pos kufizimit të kohës së dialogut me Serbinë, ky proces duhet të prodhojë edhe dy veprime për Shtetin e Kosovës. E para, anëtarësimi në OKB dhe njohja e ndërsjellët me shtetin serb.

“Qëllimi i madh i Kosovës në dialog me Serbinë është anëtarësimi i saj në OKB dhe njohja e ndërsjellë, e pa këtë qëllim dialogu nuk ka kuptim të vazhdojë, qëndrimet e mija kanë qenë publike si ish ministër i jashtëm dhe ky është qëndrim të cilin ne e kemi si qeveri e Kosovës”, u shpreh Hoxhaj për Express.

Këto deklarata Zëvendëskryeministri i ka bërë duke komentuar një lajm të një agjencie ruse, e cila ka shkruar se Kosova ka kërkuar që dialogu i Brukselit duhet të kryhet për një vit e gjysmë.

Hoxhaj ka thënë se para tri vitesh ka kërkuar të afatizohet dialogu. Por, nuk ka përmendur afate konkrete.

“BE duhet të bëjë presion shumë më të madh ndaj Serbisë dhe së dyti dialogu mund ta ruajë kredibilitetin. Palët mund ta ruajnë prestigjin ndërkombëtar nëse kalojmë në një fazë përfundimtare e cila duhet të përfundojë me një marrëveshje e cila duhet të jetë marrëveshje paqeje dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen e ndërsjellë”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse në fazën e fundit duhet përfshirë dëmet e luftës, demarkacioni; asociacioni; Veriu , Hoxhaj tha se kjo fazë duhet të përfshihet në një platformë dhe e cila duhet t’i adresohet dhe Presidentit, Qeverisë dhe Parlamentit.

“Pra qëllimi kryesor është njohja dhe asgjë tjetër. Bashkimi Evropian ka vendos si kusht për Serbinë arritjen e një marrëveshjen obligative ligjor në mes të dy vendeve, me unë sa kam qenë ministër i jashtëm kam fol me shtete partnere te Kosovës dhe kjo marrëveshje obligative ligjore nuk është asgjë tjerë përveç se njohje e ndërsjellë.

Pra përmes këtij traktati të paqes ta përmbyllin një fazë të armiqësisë dhe ta njohin realitetin politik të një shteti të pavarur dhe integritetin territorial të një shteti të ri”, përfundoi ai.

Dialogu Kosovë-Serbi ka rinisur në vitin 2010 me ndërmjetësim të BE’së dhe mbikëqyrje të SHBA’së. Bisedime të tilla ishin kërkuar nga ndërkombëtaret. Ishte thënë se qëllimi i tyre është normalizimi i raporteve ndërmjet “Prishtinës dhe Beogradit”.

Deri tash janë arritur disa marrëveshje. Shumica e tyre nuk janë përmbushur.

Ministrja e deritashme e Dialogut, Edita Tahiri, kishte nisur disa letra në drejtim të Brukselit për t’i bërë presion Serbisë për t’i përmbushur obligimet e Brukselit.

Në gjithë këtë situatë, Kryeministri Ramush Haradinaj por edhe ish-Shefi i Qeverisë, Isa Mustafa kishin paralajmëruar ndërrimin e formatit aktual të dialogut. Ishte përmendur ideja që bisedimet të zhvillohet ndërmjet Presidenteve. Aktualisht, Shef i Shtetit të Kosovës është Hashim Thaçi kurse Aleksander Vucic është Kryetar i Serbisë.

Procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi.

Që nga fillimi i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me 8 mars 2011, trajta e tij ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Që nga fillimi i dialogut e deri më tani janë arritur 19 marrëveshje.

Të ngjashme