Hoxhaj: Dialogu i pakuptimtë, nëse nuk përfundon me njohje

Prishtinë | 08 Sht 2016 | 13:02 | Nga

Dialogu me Serbinë duhet të afatizohet dhe të përfundojë me njohje të dyanshme, reciproke, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Po ashtu, kryediplomati kosovar ka theksuar se pa u arritur marrëveshja për kodin telefonik të Kosovës dhe pa u zbatuar marrëveshja e sektorit të energjisë, nuk do të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në këtë intervistë, Hoxhaj rithekson se ratifikimi i Demarkacionit mbetet kushti i vetëm dhe i patejkalueshëm për liberalizimin e vizave.

“Dialogu do të vazhdon në formatin e njëjtë sikurse ka ndodhur deri më tani. Natyrisht që ne jemi të interesuar që në këtë fazë të ketë zbatim të marrëveshjeve të cilat janë arritur dhe një pjesë e tyre nuk janë jetësuar në realitet, por kanë mbetur vetëm në letër. Por, përtej kësaj, qëllimi ynë është që ta kemi një qasje më kreative në dialog, që t’i dimë se cilët janë parametrat e sakta të dialogut dhe cilat janë qëllimet përfundimtare të dialogut. Në këtë drejtim qasja jonë është që dialogu duhet të afatizohet, jo vetëm në rrafshin kohor, por edhe në atë përmbajtjesor dhe që duhet të përfundojë me njohje të dyanshme, reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe që nuk duhet të zgjas në pafundësi, as implementimi i marrëveshjes, por as dialogu si proces”.

“Natyrisht që në një dialog të tillë nuk është vetëm Kosova, nuk është vetëm Serbia, por është edhe Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit, por edhe partnerët tanë amerikan dhe partnerët e tjerë. Kështu që dinamika e dialogut varet nga një shumësi e aktorëve të ndryshëm dhe nuk varet vetëm nga ajo se si e sheh Kosova. Por, ne i kemi pikëpamjet tona të qarta dhe pritjet tona janë shumë reale”, u shpreh ministri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme