Hoxhaj: Ditë të zeza për Evropën dhe Ballkanin, dialogu është çështje urgjente

Prishtinë | 23 Shk 2022 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka komentuar situatën e krijuar në Ukrainë, pas hyrjes së forcave ruse në Donetsk e Luhansk, por ka folur edhe për pasojat e kësaj drame në Evropë dhe në Ballkan.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Enver Hoxhaj ka thënë se ditët e fundit nga situata në Ukrainë, janë ditë jo të mira jo vetëm për Ukrainën por edhe për Evropën dhe Ballkanin.

“Unë mund të them se këto janë ditë të zeza për Evropën dhe se mund të dal situata shumë shpejt jashtë kontrolli, dhe nëse flasim për një shtet të pavarur si Ukraina dhe nëse ky shtet ndodh që të pushtohet nga Rusia do të ndryshojë jo vetëm Evropa dhe ndikimi rus në të por edhe në Ballkan që do të thoshte se do pësonim edhe ne”, tha Hoxhaj mbrëmë në një intervistë.

Tutje, Hoxhaj u shpreh se ajo çfarë ka thënë Putini në Këshillin e Sigurisë Kombëtare ishte e barabartë me fjalimin e Millosheviçit në Kosovë, të mbajtur në Fushë Kosovë në vitin 1989.

“Në këto 23-24 vitet e fundit, të paktën prej Rambujesë e cila është marrëveshja jonë e parë me perëndimin, historikisht, prej Rambujesë e deri këtu ku jemi Kosova ka shku në tavolinë me arritë marrëveshje që ka qenë në interesin tonë me arritë marrëveshje kurse Serbia ka qenë në tavolinë për mos me arritë marrëveshje. Nëse ne e kemi një Qeveri të Kosovës e cila shkon sot në tavolinë për mos me arritë marrëveshje dhe unë mendoj që kjo është problem i madh dhe serioz, i cili ka të bëjë me kërcënimin afatgjatë të interesave të Kosovës.”, ka thënë tutje Hoxhaj.

Ish-ministri i jashtëm është shprehur se Kosova ka mundur më lehtë të arrijë marrëveshje për njohje të ndërsjellë me Serbinë në vitin 2014 sesa tani në vitin 2022, pasi sipas tij, Serbia atëkohë ka pasur më shumë interesa ndaj Bashkimit Evropian dhe ky i fundit ka pasur më shumë ndikim në Serbi sesa që ka tani.

“Ne kemi mundur më lehtë në vitin 2014 të arrijmë një marrëveshje për njohje të ndërsjellë me Serbinë sesa që mund ta arrijmë në 2022. Bashkimi Evropian ka pasur ndikim ma shumë në Serbi dhe Serbia ka pasur më shumë interes m’u integru në Bashkim Evropian, sesa aktualisht. Cështja e dialogut është urgjente në raport me Kosovën.”, ka thënë tutje Hoxhaj.

“Qeveria e Kosovës duhet me shku në dialog, duke i respektu krejt marrëveshjet që janë arritë deri më tash dhe me negociu një marrëveshje e cila i përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, por jo me etiketa paraprake”, ka thënë Hoxhaj, në Kanal10.

Hoxhaj, ka shtuar se pret nga kryeministri Kurti, që ta qeverisë vendin dhe të merret me temat nacionale sepse, sipas tij, Kurti nuk e ka marr mandatin që të administrojë Kosovën, por ta qeverisë.

Të ngjashme