Hoxhaj e Haradinaj urojnë popullin turk për ditën e tyre, thonë se Turqia vazhdon të jetë shtet mik i Kosovës

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Republika e Turqisë sot shënon ditën e Sovraniteti Kombëtar dhe të fëmijëve.

E me këtë rast liderët politik në Kosovë kanë uruar popullin turk me rastin e kësaj feste.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka shkruar se komuniteti i respektuar turk është pasuri e diversitetit dhe trashëgimisë tonë kulturore.

Hoxhaj ka thënë se për dekada, ky komunitet ka qenë edhe lidhja jonë e rëndësishme me shtetin tonë mik, Turqinë.

“Në Kosovë, sot festohet Dita e Turqve. Komuniteti i respektuar turk është pasuri e diversitetit dhe trashëgimisë tonë kulturore. Ata janë pjesë e të gjitha institucioneve tona dhe të pandashëm në aktivizimin e përbashkët shoqëror për një shtet zhvillimor e demokratik. Për dekada, ky komunitet ka qenë edhe lidhja jonë e rëndësishme me shtetin tonë mik, Turqinë. Urime miqve turq dhe të gjithë komunitetit të tyre kjo ditë”, ka shkruar Hoxhaj.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka uruar popullin turk. Haradinaj ka thënë se Turqia e ka mbështetur fuqishëm intervenimin e NATO-s për shpëtimin e popullit të Kosovës.

“Urojmë shtetin mik, Republikën e Turqisë për festën e Sovranitetit Kombëtar dhe të Fëmijëve, njëkohësisht përvjetorin e themelimit të Kuvendit të Madh Popullor. Turqia mbështeti fuqishëm intervenimin e NATO-s për shpëtimin e popullit tonë dhe vazhdon përkrahjen për Republikën e Kosovës në shtetndërtim dhe afirmim ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka falënderuar Turqinë për përkrahjen e vazhdueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës.

“Bashkë me urimet për paqe dhe prosperitet për popullin turk, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme