Hoxhaj e quan historik vlerësimin e Këshillit të Sigurimit

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 23:03 | Nga

Përfaqësues të shumtë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kanë vlerësuar se Kosova ka shënuar progres si shtet i pavarur.

Shumë nga këto shtete e kanë parë si të panevojshme mbledhjen çdo tre muaj për raportimin për Kosovën. Kështu ata kërkuan nga Këshilli i Sigurimit që tani e tutje mbledhjet për këtë çështje të mbahen më rrallë.

Kjo mbledhje nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po vlerësohet si historike, në kuptimin e vigjiljes së 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë për Indeksonline, Hoxhaj tha se kjo mbledhje ka një rëndësi të madhe, duke pasur parasysh rolin determinues që ka pasur Këshilli i Sigurimit të OKB-së për statusin final të Kosovës.

Sipas tij, në tërësi vlerësimet e Këshillit të Sigurimit janë relevante se këto vlerësime pastaj kanë një dimension për atë se si Kosova shihet dhe kuptohet në botë si shtet i ri.

“Kjo mbledhje e Këshillit të Sigurimit është historike në kuptimin e vigjiljes së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe këshilli i Sigurimit ka pasur rol determinoz në rastin çfarë është Kosova, duke pasur parasysh rezolutat që i ka miratuar Këshilli i Sigurimit gjatë viteve ’90, veçanërisht në vitin 1998-99, mbi të gjitha “Rezolutën 1244” e cila ka pasur një rol vendimtar sa i takon vendosjes së Kosovës nën administrimin ndërkombëtarë. Por, Këshilli i Sigurimit ka qenë edhe një institucion i cili ka marrë qëndrime sa i përket statusit final të Kosovës, meqë Martti Ahtisaari, në atë kohë është emëruar prej Këshillit të Sigurimit si i dërguari i posaçëm i OKB-së për ta zgjedhur një status final dhe ka qenë propozimi i tij që Kosova të jetë sovrane dhe e pavarur”, ka deklaruar Hoxhaj.

Duke përmendur vlerësimet pozitive të shteteve anëtare të OKB-së, Hoxhaj ka komentuar shkurt edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ku thotë se retorikat e tij nuk duhet të merren seriozisht.

“Reflektimet e shteteve anëtare për atë se ku është Kosova pas 10 viteve të shpalljes së pavarësisë janë vlerësime pozitive. Të gjithë e njohin se kemi pasur sukses konkret në konsolidimin e brendshëm të shtetësisë, ku bazë e këtij konsolidimi të brendshëm të shtetësisë ka qenë pikërisht zbatimi i planit të Martti Ahtisaarit, që ka qenë një plan i OKB-së në zgjerimin dhe sovranitetit të Kosovës përmes njohjes ndërkombëtare, përmes anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Megjithëse progresi është vlerësuar drejt dhe mirë nga shtetet përkrahëse të Kosovës, ajo çfarë pretendon ministri i jashtëm serb, retorikat e tij, nuk duhet të merren shumë seriozisht”, ka shtuar zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Më tej, ai ka folur edhe rreth asaj se sa do i ndihmojë Kosovës ky vlerësim, për anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Çdo raport i cili shkruhet nga sekretari i Përgjithshëm dhe i cili prezantohet nga i dërguari i tij që e përfaqëson UNMIK-un në Kosovë, është një referent që e cila lexohet nga shtetet anëtare të OKB-së. Por, vlerësimet e shteteve anëtare të Sigurimit janë me peshë pasi të gjitha vendet anëtare të OKB-së e përcjellin këtë seancë, diplomatët e saj dhe natyrisht që progresin që e ka bërë Kosova mund të ndikojë në shtetet, qoftë nëse i takon anëtarësimit në organizata konkrete apo në njohje të Kosovës. Pastaj, është prioritet i joni i brendshëm se ku mund të aplikojmë, në cilën organizatë, pra, në cilën organizatë është koha, në cilën organizatë kemi mundësi të bëhemi pjesë e saj”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej ai ka thënë se 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës duhet të shfrytëzohet për depërtime të reja.

“Progresi që kemi bërë në 10 vitet e fundit, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në atë të jashtëm, sjellja serioze dhe e pjekur e një shteti të ri dhe fakti se Kosova si shtet i ri po ka arritje më shumë se shumë shtete të cilat janë shtete anëtare të OKB-së, fol për atë që pretendimet që i ka pasur Serbia, apo Rusia për ta penguar Pavarësinë e Kosovës dhe për ta dëmtuar shtetësinë e Kosovës kanë qenë të rreme dhe ky 10 vjetor duhet të shfrytëzohet qoftë në Këshillin e Sigurimit, qoftë në cilin do forum ndërkombëtarë, qoftë në çdo raport bilateral me çdo shtet që nuk e kanë njohur Kosovën, apo në çdo organizatë ku nuk jemi pjesë, të kemi një depërtim të ri”, ka deklaruar ai.

Mbi të gjitha, sipas tij, kjo mbledhje tregon se Kosova e ka vendin në OKB, dhe rruga e Kosovës për anëtarësim në OKB megjithëse e vështirë, do të jetë e pandalshme.

Të ngjashme