Hoxhaj i reagon Vuçiqit: Qëndrim i dëmshëm ndaj dialogut, Kosova do të jetë gjithmonë shtet sovran

Prishtinë | 17 Qer 2020 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Në një deklaratë ditën e sotme presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha se nëse Kosova do të vijë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, me pretendimin se Serbia do njohë pavarësinë e saj, atëherë dialogu të mos fillojë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, tha se kjo deklaratë e Vuçiç është në dëm të dialogut.

Hoxhaj u shpreh se Kosova është dhe do jetë gjithmonë shtet sovran dhe i pavarur, dhe se askush mund ta kthejë mbrapa urën e historisë.

”Ky është një qëndrim i dëmshëm ndaj dialogut. Kosova është shtet dhe do jetë gjithmonë shtet sovran dhe i pavaruar. Askush nuk mund ta kthejë mbrapa urën e historisë. Ne kemi ndërtuar nga themelet këto 12 vitet e fundit një shtet i cili është funskional dhe i cili ka njohje ndërkombëtare. Serbia sa më herët që do e pranojë këtë fakt politik të pavarësisë së Kosovës dhe këtë fakt gjeopolitik në botë, mendoj se do ta ndihmojë edhe atë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Nuk mund të ketë anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Europian pa njohje të ndërsjellë. Ka kaluar koha kur ka pasur marrëveshje teknike, tashmë duhet qartësi dhe Vuçiçi e di këtë gjë.”, tha për Ora News.

Më 27 qershor, përfaqësues të qeverive të Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë në Uashington me ftesë të të dërguarit të posaçëm të Trump për dialogun, Richard Grenell.

Të ngjashme