Hoxhaj: Veseli s’ka të bëjë me njerëzit që dyshohen për fajde, po tentohet të njolloset emri i tij

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 16:35 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka mbajtur konferencë për medie, me ç’rast ka komentuar videon e publikuar dje të disa personave që akuzohen për fajde e ku përmendet edhe emri i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, raporton Ekonomia Online.

Hoxhaj tha Kadri Veseli nuk ka pasur asgjë me njerëzit që janë shfaqur në video e as me temat.

Sipas Hoxhajt rasti është mbyllur ende pa u përfunduar hetimi.

“Sot kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka pasë një konferencë për shtyp për të denoncuar një aktivitet kriminal që është prezantuar përmes një video që është përmendur emri i tij. Kadri Veseli nuk ka pasur asgjë me njerëzit që janë shfaqur në video as me temat. Arsyeja e kësaj konferencë për ne si PDK është që rasti në fjalë është i rëndësishëm dhe kërkojmë mos të anashkalohet dhe të marrë epilog të plotë. Kjo ngjarje tregon që duhet t’i shtojmë disa çështje. Rasti për të cilën flet kjo video është mbyllur pa u përfunduar hetimi”, tha ai, raporton EO.

Hoxhaj tha se PDK nuk do të heshtë para këtij akti, duke rikujtuar rastin kur PDK-ja e pati denoncuar Rrahim Hashimin.

“Rrahim Hashimi, personi kyç në këtë grup kriminal është denoncuar në vitin 2014 nga nënkryetari i PDK-së dhe Kuvendit pasi që ia kishte përdorur emrin, njësoj siç tani ndodhi me KV. Tani pyetja është pse nuk u hetua ky rast deri në fund. Rasti për të cilin ka qenë subjekt kjo video është mbyllur pa përfunduar hetimet dhe pa u vënë para përgjegjësisë penale akterët e këtij krimi të organizuar”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj ka theksuar ky rast nuk mund ta ndalë agjendën shtetformuese të PDK-së.

“Kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së provave dhe as të mungesës së resurseve, por është penguar qëllimshëm nga ana e akterëve të caktuar. Për këtë arsye sot kërkoj sqarim të këtij rasti deri në fund. Asnjë përpjekje e grupeve kriminale për ta njollosur figurën e kryetarit të PDK-së nuk na ndalë në agjendën tonë shtet-ndërtuese”, tha ai.


Të ngjashme