Hoxhaj: Lufta e UÇK-së ishte e pastër, Veseli e Thaçi u sollën si burrështetas

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 15:11 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur sot një konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.

Gjatë kësaj konference, Hoxhaj ka thënë se konfirmimi i aktakuzës ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe ndaj Presidentit Hashim Thaçi, si dy figura emblematike të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të lirisë e pavarësisë së Kosovës, flet për një situatë të rëndë jo vetëm për Kosovën dhe aspiratat e saj shtetndërtuese, por në veçanti edhe për PDK-në.

“Unë jam i bindur që ata do të dalin fitimtarë e faqebardhë në këtë sfidë të panevojshme e të mundimshme sepse nuk kam asnjë dyshim që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër për liri kundër një pushtuesi që po kryente masakra dhe krime kundër njerëzimit”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej, ai ka shtuar se e gjithë bota demokratike besoi në drejtësinë dhe legjitimitetin e luftës sonë prandaj edhe u solidarizua dhe ndihmoi në çlirimin e Kosovës nga regjimi gjenocidial i Millosheviçit.

“Në rrugën e saj të gjatë, me shumë sakrifica dhe duke paguar çmimin e madh të luftës, masakrave e vrasjen e mbi 10 mijë civilëve në vitet 98-99, Kosova po e paguan edhe një çmim tjetër në rrugën e rëndë të përmbylljes së shtetndërtimit të saj”, ka thënë ai.

“Ne, miqtë dhe bashkëpunëtorët e z. Kadri Veseli e Hashim Thaçi, që rrugëtuam së bashku në shumë procese jetike për lirinë e pavarësinë e Kosovës, jemi krenar për ta, të arriturat e tyre dhe sjelljen shembullore prej liderësh historikë. Ata ishin në lartësinë e burrështetasve të rrallë, që përpara interesit të Kosovës dhe popullit të saj, nuk e vendosën asnjë interes tjetër personal, partiak apo politikë”.

Hoxhaj, duke bërë thirrje për maturi dhe unitet, ka thënë se të gjithë duhet të veprojmë në interes të mbrojtjes së të arriturave të Kosovës së pavarur, luftës çlirimtare, UÇK-së dhe shtetit të Kosovës duke mos lejuar vakum e krizë politike apo institucionale. U.D. i kryetarit të PDK-së ka bërë të publike edhe vendimet që janë marrë në mbledhjen e fundit të kryesisë së partisë.

“Kryesia e partisë ma ka besuar mua detyrën e ushtryesit të detyrës së kryetarit të partisë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua e për këdo që do të gjendej në pozicionin tim. Një sfidë e cila mund të përballohet vetëm nëse forcojmë solidaritetin dhe unitetin brenda partisë”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë, është dhe do të jetë trashëgimtare e vlerave më të mira të luftës së popullit shqiptar për liri dhe me krenari do të mbrojë lavdinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të ngjashme