Hoxhaj me pako për diasporën: Tri vende të rezervuara në listën për deputetë dhe rikthimin e Ministrisë së Diasporës

Prishtinë | 27 Dhj 2020 | 15:24 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka shpalosur pakon qeverisëse të diasporës, raporton Ekonomia Online.

Hoxhaj tha se do të punojnë në rezervimin e vendeve për diasporën në Kuvendin e Kosovës.

Tutje ai tha se PDK-ja do t’i ketë tre kandidatë që do të vijnë nga diaspora.

Poashtu, Hoxhaj theksoi se do ta rikthejnë Ministrinë e Diasporës dhe kjo ministri do të udhëhiqet nga një mërgimtar.

Gjithashtu, ai u zotua se do të ketë lehtësime në pagesat për kartonin e gjelbër.

Ndërsa, anëtari i PDK-së, Elmi Reçica tha se do të jenë t’i qëndrojnë afër diasporës.

“Ne patëm disa takime dhe kemi arritur që përmes komunikimi dhe kontakteve të rikthehemi fuqishëm në diasporë, kemi pasur vizitë ne Zvicër, së shpejti do ta hapim një seli në Kanada dhe jemi në bisedime me shtete skandinave”, tha Reçica.

Kjo është deklarata e plotë e kryetarit Enver Hoxhaj:

Ju uroj të gjithë juve mirëseardhje në vendlindje, pranë familjeve tuaja, pranë prindërve, vëllezërve, motrave, fëmijëve dhe miqve tuaj!

Duke bashkëndjerë me juve për shqetësimet dhe mundimet që iu ka sjellur rruga e gjatë dhe kalvari i kalimit nëpër pika kufitare, vlerësoj se shteti i Kosovës duhet të bëjë më shumë për ta lehtësuar ardhjen tuaj në Kosovë.

Ju jeni infuzioni i ekonomisë së Kosovës. Ju jeni mbështetësja jonë kryesore në kohë të vështira. Ju jeni gazmendi i familjeve kosovare në kohë të vështira. Para së gjithash, ju jeni ajo pjesë e kombit që sa më larg të jeni, më afër atdheut ndjeheni.

Këto ditë, ju po i jepni infuzion ekonomisë së Kosovës dhe po e forconi edhe më shumë pakon për rimëkëmbje që u votua me mbështetjen e PDK-së.

Edhe historia e Partisë Demokratike lidhet pashmangshmërisht me diasporën.

Ne kemi qenë dhe do të jemi afër tyre. Prandaj, në prag të këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ne kemi vizionin më të qartë dhe me veprime konkrete për ta afruar edhe më shumë mërgatën me Kosovën.

Më lejoni ta prezantojë para jush një pako propozimesh politike të PDK-së në mbështetje të diasporës sonë:

–       Partia Demokratike do të inkuadrojë për herë të parë në listën e saj për deputetë 3 personalitete të fuqishme intelektuale, profesionale dhe në fushën e ndërmarrësisë që vijnë nga diaspora;

–       Partia Demokratike zotohet se hapin e parë që do ta bëjë në qeveri do të jetë rikthimi i Ministrisë së Diasporës, e cila u shua nga qeveria LVV-LDK, parti që u thirrën shumë në diasporën, dhe ministri do të jetë nga diaspora.

–       Partia Demokratike sapo të marrë në udhëheqje qeverinë e ardhshme, do ta ketë si një prej nismave të para parlamentare propozimin e saj për të krijuar ulëse të rezervuara për diasporën shqiptare në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç tanimë e kanë shumë vende në rajon dhe gjetiu;

–       Të lirohet diaspora nga obligimet e sigurimit kufitar jo vetëm për një vit por deri në anëtarësimin e Republikës se Kosovës në Këshillin e Byrove së Kartonit të Gjelbër. Si rrjedhojë, kartoni i gjelbër i cilitdo shtet në botë do të vlejë edhe në Republikën e Kosovës. 

Si kryeministër i ardhshëm, betohem se ky plan do të jetë qëllimi dhe vizioni i imi dhe i Partisë Demokratike të Kosovës për katër vitet e ardhshme.

Ju uroj festat e fundvitit!

Ju uroj shëndet dhe kujdes në këtë kohë pandemie!

Të ngjashme