Hoxhaj mirëpret vendimin për reciprocitet: Të mos kemi dallime politike përballë Serbisë

Prishtinë | 22 Sht 2021 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj, ka thënë se e mirëpret vullnetin e Qeverisë së Kosovës për t’i implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë-Serbi, por vendimet e tilla, sipas Hoxhajt, duhet t’i shërbejnë përmbylljes së shtetësisë e jo hapjes së fushatës zgjedhore. 

Hoxhaj, përmes një statusi në Facebook, është shprehur se Kryeministri Kurti në të kaluarën, ka mohuar rezultatet dialogut, por tani po zbaton marrëveshjet dhe afirmon ato, siç u shpreh Hoxhaj, “më mirë vonë se kurrë!”.

“Mirëpres vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë-Serbi. Vendime të tilla duhet t’i shërbejnë përmbylljes së shtetësisë së Kosovës, jo hapjes së fushatës zgjedhore. Kryeministri Kurti që në të kaluarën ka mohuar rezultatet e dialogut, sot po zbaton marrëveshjet dhe afrimon ato! Më mirë vonë se kurrë!”, ka shkruar Hoxhaj. 

Tutje, ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj tha se është e rëndësishme për demokracinë e Kosovës që kundërshtarët të kenë dallime politike të brendshme në Kosovë, por jo edhe përballë agresionit të Serbisë. 

“Por ne që ishim në qeveri dhe që tash jemi në opozitë, s’duhet të jemi vonë karshi interesit shtetëror. Është e shëndetshme për demokracinë e brendshme në Kosovë të kemi dallime politike, por jo edhe përballë agresionit të Serbisë dhe kur jemi në të drejtën tonë si shtet!”, tha tutje ai. 

Ai gjithashtu pati disa fjalë edhe për pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. 

“Në këto momente, të gjithë jemi me mendje dhe zemër me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët në dekadën e fundit kanë dëshmuar se janë gardianët më të mëdhenj të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.”, ka shkruar Hoxhaj. 

Hoxhaj u shpreh se shpreson që ky reciprocitet i pjesshëm të koordinohet plotësisht me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të prodhuar më shumë ushtrim të sovranitetit se lajme ditore.

“Vendime të tilla strategjike kërkojnë veprim politik e krijim të fakteve brenda Kosovës, koordinim të jashtëm me partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe betejë diplomatike me kundërshtarët e shtetit tonë! Vetëm kështu përmbushen qëllimet dhe mënjohen pasojat që mund të prodhojë gjendja në veri të vendit!”, ka shkruar Enver Hoxhaj në Facebook. 

Të ngjashme