Hoxhaj në Anamoravë: Dy qeveritë e dështimeve nuk e ndërtuan as një autostradë, PDK-ja do ta përfundojë edhe të tretën

Prishtinë | 09 Jan 2021 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

 Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka vizituar një pjesë të autostradës së Anamoravës, ku për muaj të tërë kanë ngecur punimet për ndërtimin e saj.

Hoxhaj ka kritikuar ish-qeveritë Kurti dhe Hoti për lënie pas dore të kërkesave të banorëve të Anamoravës dhe nevojave të Luginës së Preshevës për ndërtimin e autostradës, si njërin prej projekteve më të rëndësishme strategjike në këtë pjesë të Kosovës.

“Ish-qeveritë Kurti e Hoti do të mbahen mend vetëm si qeveri të premtimeve dhe dështimeve. As njëra e as tjetra nuk kanë mundur ta përfundojnë qoftë edhe një rrugë magjistrale e lëre më një autostradë. Sot nga afër vizitova pjesë të mbetura në gjysmë të punimeve. Ky projekt i nisur nga PDK-ja ka mbetur ashtu i njëjtë meqë VV e LDK kanë interes për vota e jo për të kryer ndonjë punë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka theksuar se në periudhën kur ka qeverisur PDK-ja në Kosovë janë ndërtuar dy autostrada të mëdha, Rruga e Kombit dhe autostrada “Arbën Xhaferi” dhe se sapo ta marrë drejtimin e qeverisë, do ta përfundojë ndërtimin e autostradës së Anamoravës.

“Partia Demokratike e Kosovës gjatë qeverisjes së saj ka investuar në infrastrukturë rrugore, si faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit duke ndërtuar dy autostrada. Ne e kemi nisur edhe ndërtimin e kësaj autostrade dhe do ta përfundojmë pas 14 shkurtit, kur të jemi në krye të qeverisë. Unë i siguroj banorët e Anamoravës dhe ata të Luginës së Preshevës, se projekti i ndërtimit të autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë do të vazhdojë dhe është prioritet i programit tonë sa i përket infrastrukturës”, ka përfunduar Hoxhaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme