Hoxhaj në Bruksel: Në ditët në vijim vendime të rëndësishme në Kuvend

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 15:13 | Nga

​Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha të mërkurën në Bruksel se “Kuvendi i Kosovës brenda ditësh mund të marrë vendimin për ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi”.
Hoxhaj, që po fliste përpara Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, tha se shpreson që ky të jetë kushti i fundit për Kosovën, që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në vendet e BE-së.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po qëndron në Bruksel ku ka takuar një ditë më parë shefin e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini dhe komisionerin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, që i kanë përcjellë porosinë për përmbushjen e të gjitha kushteve të Komisionit Evropian me qëllim të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

“Me sa kam kuptuar në ditët në vijim do të marrim vendime të rëndësishme në Parlamentin tonë me qëllim që të ratifikojmë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi që duhet të jetë njëri nga kushtet e fundit. Pastaj shpresojmë se do të marrim mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e Komisionit Evropian që t’u mundësohet qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa viza”, tha Hoxhaj përpara anëtarëve të Komitetit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, foli edhe për dialogun me Serbinë duke theksuar se “ai duhet të ketë një qëllim të qartë, që është njohja e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”.

“Në pikëpamjen tonë si qeveri, dialogu duhet të ketë qëllim të qartë dhe një nga qëllimet më të rëndësishme është njohja e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve. Pa këtë, mendoj se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i padobishëm dhe i pavlerë, por njohja e ndërsjellë duhet të jetë qëllim të cilin duhet ta kemi si një strategji të qartë për vitet në vijim”, tha Hoxhaj.

Duke folur përpara komitetit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian, ministri Hoxhaj tha se marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë duhet të zbatohen në tërësi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u pezullua me një Rezolutë të Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës u kërkua lirimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ky i fundit u ndalua nga policia franceze në Basel, mbi bazën e një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet në Beograd, që e ngarkuan atë me, sic thuhej, krime lufte.

Një gjykatë franceze në Colmar, pas disa seancash që zgjatën rreth katër muaj mori vendimin për lirimin e Haradinajt dhe ai u kthye në Kosovë.

Ministri Hoxhaj ndërkaq u tha anëtarëve të komitetit për punë të jashtme se “agjenda e reformës evropiane është një përparësi e autoriteteve në vend” dhe shprehu besimin e tij për përfundimin e saj brenda dy vitesh.

“Ne shpresojmë që të kemi mundësinë ta bëjmë këtë në dy vitete e ardhshme, ose në fund të këtij viti ose gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Kurdo që të mund ta kryejmë dhe të arrijmë këtë gjendje, atëherë Kosova do të aplikojë për statusin kandidat”, tha Hoxhaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme