Hoxhaj në Zvicër e Lihtenshtajn, kërkon mbështetje për investime (Video)

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 19:38 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar vizitë zyrtare në Zvicër dhe në Lihtenshtajn. Gjatë kësaj vizite, Hoxhaj është takuar me homologët e tij, ministrat e jashtëm të të dyja shteteve, ku temë kryesore e takimeve ka qenë zhvillimi ekonomik dhe sjellja e investimeve nga këto dy shtete në Kosovë. Në Zvicër, Hoxhaj ka biseduar edhe për çështjen e pensioneve.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, ministri Hoxhaj ka takuar udhëheqësin e Departamentit Federal për Punë të Jashtme, Didier Burkhalter. Ai ka folur për klimën e mirë për investime në Kosovë, me ç’rast ka kërkuar sjelljen e investimeve nga Zvicra në vendin tonë.

“Në takimet që kisha më Ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, dhe me ministren e Lihtenshtajnit, biseduam për mbështetjen e këtyre vendeve sa i takon zhvillimit ekonomik dhe sjelljes së investitorëve të rinj në Kosovë, si dhe për mbështetjen në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Besoj që në të dyja çështjet do të kemi mbështetjen e tyre”, ka thënë Hoxhaj.

Po ashtu, në këtë takim, Hoxhaj ka adresuar edhe çështjen e pensioneve për qytetarët e Kosovës të cilët kanë punuar në Zvicër. Ai ka thënë se shumë shpejt pret vendime pozitive në këtë drejtim.

“Në takimin me homologun tim zviceran kemi adresuar edhe çështjen e pensioneve të qytetarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër dhe shumë shpejtë presim vendime pozitive në këtë drejtim”, ka përfunduar Hoxhaj.

Gjatë vizitës në Lihtenshtajn Hoxhaj ka takuar homologen e tij Aurelia Frick. Edhe në këtë takim temë kryesore ka qenë zhvillimi ekonomik dhe sjellja e investorëve të rinj nga Lihtenshtajni në Kosovë.

Përveç takimeve me homologët e tij, Hoxhaj ka mbajtur takime edhe me Komisionet për Politikë të Jashtme të të dyja vendeve. Ndërkaq sonte, Hoxhaj do të mbajë ligjëratë në Universitetin e Bernit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme