Hoxhaj: Osmani përfaqëson interesat e një partie dhe liderit të saj, s’e votojmë për presidente

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se nuk ka votë për Vjosa Osmanin presidente.

Hoxhaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se ajo është figurë përçarëse  dhe përfaqëson interesin e vetë një partie dhe liderit të saj.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës. Ajo është treguar një figurë përçarëse, aspak përbashkuese dhe nuk e përfaqëson unitetin e popullit. Duke qenë e motivuar partiakisht dhe që përfaqëson interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, znj. Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes”, ka shkruar ai.

Hoxhaj ka thënë se PDK-ja do të jetë partia e vetme opozitare dhe s’do të tradhtojë  besimin e votueseve.

“PDK-ja nuk do ta tradhtoj besimin e votuesve të saj. Ne jemi partia e vetme në opozitë që do ta ballafaqojmë deri në fund pushtetin e ri, do t’i përfaqësojmë qytetarët e Kosovës dhe do ta mbajmë përgjegjëse për çdo premtim e vendim. PDK sikurse e kemi thënë gjatë zgjedhjeve, do të jetë fronti i vetëm politik në Kosovë kundër boshtit populist të përfaqësuar nga z. Kurti”, ka thënë Hoxhaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme