Hoxhaj: Përgjegjës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit është Vuçiqi

Prishtinë | 15 Mar 2019 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i është përgjigjur akuzave që kanë ardhur nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, se kush është fajtor për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Hoxhaj ka thënë se Serbia është përgjegjëse për vrasjen e politikanit të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

“Serbia është përgjegjëse për vrasjen e politikanit të Kosovës, Oliver Ivanovic. Urdhërdhënësit politikë në Beograd të të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Milan Radojicic, jo vetëm që po e mbrojnë atë duke e strehuar dhe mbështetur, por edhe po e pengojnë zbardhjen e plotë të këtij rasti kriminal përmes shpifjeve dhe propagandës, ka deklaruar Hoxhaj për Telegrafin.

Sipas Hoxhajt, qëndrimet e zyrtarëve më të lartë në Serbi, po i shërbejnë politikave të Millosheviqit.

“Deklaratat e presidentit Vuçiç dhe të vartësve të tij, të cilët i kanë shërbyer së bashku Millosheviçit, janë shantazh dhe përpjekje për të mbjellur frikë tek serbët e Kosovës, që të mos bashkëpunojnë me autoritetet e sigurisë për zbardhjen e këtij rasti. Kosova mbetet e përkushtuar thellësisht për ta zgjidhur këtë rast sa më shpejtë, meqë adresa e këtij krimi është në Beograd dhe përgjegjës është vetë presidenti Vuçiç”, ka thënë për fund Hoxhaj.

Ndryshe zyrtari serb Marko Gjuriq, ka deklaruar se përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit janë institucionet në Kosovë duke bërë përgjegjës presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se sipas indikacioneve, Milan Radojiçiq është urdhëruar nga pushteti aktual në Serbi për ta vrarë Oliver Ivanoviqin. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme