Hoxhaj përkujton 22 vjetorin e sulmeve të NATO-s: Sot e ndjejmë mungesën e Thaçit dhe Veselit

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka përkujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë para 22 vitesh.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj thotë se NATO kreu misionin historik në pajtim me vlerat e saj si aleancë, sepse mbrojti qenien dhe të drejtën e qytetarëve të Kosovës për liri.

“Aty ku kishte filluar krimi i një regjimi, aty edhe po merrte goditjen e fundit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Aleanca e NATO-s. Sot, kujtojmë me respekt të thellë, burrat dhe gratë e kësaj aleance që u vunë në shërbim të lirisë së qytetarëve të Kosovës.”, shkruan Hoxhaj.

Ai thotë se sot, më shumë se kurrë, ndjehet mungesa e drejtuesve të luftës çlirimtare, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve që padrejtësisht ndodhen në Hagë.

“Ata që ishin kreatorët e aleancës tonë të shenjtë me NATO-n dhe vlerat euro-atlantike, nuk janë me ne ta kujtojmë së bashku këtë ditë të paharrueshme për historinë e Kosovës. Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e lirisë së Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë! Faleminderit përjetë NATO-s dhe miqëve ndërkombëtarë!”, thotë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme