Hoxhaj premton rritje të pagave e pensioneve dhe nga 2000 euro subvencione për vreshtarët në hektar

Prishtinë | 04 Shk 2021 | 21:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me banorët e Isniqit të Deçanit.

Gjatë prezantimit të Planit të Rimëkëmbjes, Hoxhaj theksoi se me PDK-në në qeveri do të ketë rritje pagash për mësimdhënësit, policët, mjekët e infermierët dhe rritje të pensioneve të moshës dhe të veteranëve.

“Është një program që të moshuarve do t’iu ofrojë jetë të dinjitetshme, sepse do t’i rrisim pensionet 30 për qind, 40 për qind edhe për ata në moshë edhe për ata të cilët kanë dhënë kontribut. Është një program, i cili veteranëve të luftës, invalidëve të luftës, familjeve të dëshmorëve, do t’ua rrisë pensionin deri në 300 euro falë mirënjohjes që kemi ne për kontributin e tyre. Është një program, i cili synon të zhvillojë ekonominë, ta modernizojë shoqërinë, ta përmbyllë shtetndërtimin e Kosovës. “, tha ai.

Hoxhaj shtoi se kudo në Kosovë po ndjehet fryma e fitores së Partisë Demokratike e Kosovës.

“Kudo po shoh një frymë të fitores. Kudo po shoh një entuziazëm dhe kudo po shoh një vullnet të pathyeshëm, që PDK në këto zgjedhje po fiton bindshëm dhe 14 shkurti është dita jonë. Është dita e fitores sonë”, tha ai.

Kandidati për kryeministër i PDK-së gjatë ditës ka qëndruar edhe në qytetin e Rahovecit. Ai është zotuar se si kryeministër i ardhshëm do të ndajë nga 2000 euro subvencione për hektar për vreshtarët.

“Kësaj here, nën udhëheqjen e Qeverisë sime, me Ministrin e Bujqësisë nga Rahoveci, për shkak të pandemisë i kemi 2 mijë euro për hektar. Unë e di që kur patëm ndarë pare për juve që merreni shumë me vreshta, iu pat mbetur hatri atyre që merren me perime, speca, domate. Kësaj here, kemi vendosur për çdo hektar të atyre që merren me kulturat bujqësore do t’i ndajmë 1000 euro për hektar. Po ashtu, do të ndihmojmë me mbështetje direkte financiare. Na kemi nda një buxhet 1 miliard, por 500 milionë euro do të shkojnë në një fond, i cili në formë të granteve do t’i jepet ndërmarrjeve të vogla, të mesme të mëdha për të tejkaluar situatën që ka ardhur për shkak të pandemisë. Grante i bie pare pa kthim, pare të gatshme, pa kthim. Një pjesë e këtij buxheti natyrisht do të shkojë në Komunën e Rahovecit. Do të ndihmojmë ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha, që ta përmirësojnë teknologjinë, rrisin produktet cilësore dhe për çdo litër verë që eksportohet jashtë vendit do të ketë mbështetje financiare, njëjtë siç e bëjnë shtetet e rajonit. Këtë ua kam thënë verëtarëve. Këtë iu them juve në Rahovec”, tha Hoxhaj.

Të ngjashme