Hoxhaj s’mohon se do të ketë zgjedhje më 2019, rrëzimin e Qeverisë sivjet e quan tentim absurd

Prishtinë | 27 Tet 2018 | 08:14 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e ka quajtur absurd përpjekjen e opozitës për të rrëzuar Qeverinë kur pritet heqja e vizave, transformimi i FSK-së në ushtri dhe arritja e një marrëveshje me Serbinë.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se këtë vjeshtë nuk do të ketë zgjedhje, duke shtuar se kanë punë të tjera për të bërë.

“Në një kohë kur ne presim liberalizim vizash, në një kohë kur presim që të nënshkruajmë një marrëveshje me Serbinë e cila do të ishte njohja e ndërsjellët dhe asgjë më pak, në një kohë kur ne jem në proces të transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, është absurde në vjeshtën e 2018  dikush të kërkon ta rrëzon qeverinë”, tha ai.

“Përfitimet afatshkurta partiake nuk i shërbejnë interesave të vendit. Prandaj qëndrimi jonë si Parti Demokratike e Kosovës është se nuk ka zgjedhje këtë vjeshtë”.

Mirëpo, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk ka mohuar mundësinë e zgjedhjeve vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Hoxhaj ka thënë se Haradinaj ka përkrahjen e PDK-së për përmbylljen e punëve të filluar e për të cilat edhe janë mbajtur zgjedhjet dhe është formuar koalicioni aktual një vit më parë, raporton EO.

“Në politikë çdo ditë është e re, java është shumë e gjatë dhe unë vetëm e jap përkushtimin tonë që zotëri Haradinaj e ka prej anës tonë një mbështetje të plotë edhe nëse zëra ka nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës që mund të prodhojnë lajme që do të ketë zgjedhje të parakohshme, ky nuk është qëndrimi i PDK-së, unë flas në emër të kryetarit dhe flas në emër të kryesisë së PDK-së”, deklaroi ai.

“Na çka jemi të interesuar është që qytetarët e Kosovës presin prej kësaj qeverie t’i përmbyll disa punë të cilat i kem filluar.  Vitin e kaluar kem shkuar në zgjedhje të parakohshme që ta kemi  një koalicion që merr vendime të mëdha , ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi u përmbyll, në dialog jemi të vendosur që të lëvizim përpara”.

 

Të ngjashme