Hoxhaj takime dyditore në Bruksel e Strasbourg

Prishtinë | 12 Sht 2016 | 14:29 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisur një vizitë dyditore në Bruksel dhe Strasbourg ku do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të institucioneve të BE-së dhe Këshillit të Evropës.

Takimin e parë ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, sfidat rajonale, liberalizimin e vizave dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Hoxhaj ka thënë të ketë marrë mbështetje të fuqishme politike të BE-së për Kosovën, institucionet e saj dhe zhvillimin e dialogut me Serbinë. Por, sipas tij, BE-ja duhet të bëj presion në Serbinë që ti zbatoj marrëveshjet e arritura dhe të kushtëzoj progresin e mundshëm të saj në rrugën evropiane me njohjen e Kosovës.

“Zhvillova një takim shumë të mirë dhe përmbajtësor me Shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini. Diskutuam për shumë çështje të zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe raportet mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së. Theksova nevojën për më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzim në rrugën e saj evropiane nëse vazhdon të ketë qasje bllokuese ndaj Kosovës. Pa një afatizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve, vështirë të flasim për progress dhe normalizim të mirëfilltë” ka thënë Hoxhaj.

Po ashtu, temë diskutimi ka qenë edhe cështja e votimit të demarkacionit me Malin e Zi, për cka është shprehur gatishmëria dhe vullneti i plotë që ka Qeveria e Kosovës për ta shtyrë sa më parë këtë.

Hoxhaj pritet të takohet edhe me Komisionerin Johannes Hahn, Komisionerin për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, zëvendësekretarin e Përgjithshëm e të NATO-së, dhe shumë eurodeputetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme