Hoxhaj takon ambasadorët: Shpreh shqetësimin për qasjen e BE’së ndaj Kosovës

Prishtinë | 22 Jan 2018 | 17:56 | Nga

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar takime me pesë ambasadorë, ku ka shprehur shqetësimin e tij për qasjen ndaj Kosovës në strategjinë e Bashkimit Evropian në Ballkan.
Hoxhaj ka pritur ambasadorin e Francës, Italisë, Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilëve ua ka shprehur shqetësimin për mënyrën e qasjes së BE-së në Strategjinë për Zgjerim e cila do të publikohet ne fillim të shkurtit.

Hoxhaj ka thënë se Kosova ka nevojë për perspektivë të qartë në rrugën e saj integruese. Ai ka shtuar se gjuha në këtë dokument është e përgjithshme sa i përket Kosovës dhe nuk jep kritere as kornizë kohore për ecjen përpara të Kosovës në rrugën e integrimit në BE.

Në të njëjtën kohë, në takimet e ndara Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e këtyre vendeve për Kosovën dhe integrimin evropian të saj, duke i falënderuar për përkrahjen e deri tanishme në shtetndërtimin e Kosovës, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

“Hoxhaj theksoi se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera të Ballkanit sa i përket procesit të integrimit në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit”.

Për këtë temë, Hoxhaj ka folur edhe në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, duke i informuar kolegët e tij për dy versionet konfidenciale të këtij dokumenti ku qasja për Kosovën është e përgjithshme dhe nuk jepet perspektivë e qartë në lidhje me kriteret dhe kornizën kohore për ecjen përpara në procesin e integrimit në BE.

Ky dokument, ndërkaq, përmban qartësi për anëtarësimin e Serbisë dhe të Malit të Zi, deri në vitin 2025, ndërsa nuk ka perspektivë të qartë për katër vendet e tjera të Ballkanit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme