Hoxhaj takon homologun në Paris, pret lirimin e Haradinajt

Paris | 20 Jan 2017 | 19:13 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar sot në Paris ku është takuar me homologun e tij francez, Jean-Marc Ayrault, me të cilin kanë diskutuar për nevojën e thellimit të raporteve bilaterale sidomos në planin ekonomik.

Në takimin mes dy ministrave është diskutuar edhe për rastin e ish Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe mbështetjen e Francës për lobim për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj ka thënë se së shpejti do të organizohet një forum i përbashkët ekonomik mes dy vendeve, ndërsa është shprehur optimist për lirimin e shpejtë të Haradinajt.

“Pata një takim shumë të mirë me ministrin e Jashtëm të Francës, Jean-Marc Ayrault, me të cilin biseduam si të lëvizim prej një bashkëpunimi të shkëlqyer politik në atë ekonomik. U pajtuam për një forum ekonomik të përbashkët që do të mbahet së shpejti. Franca do ta mbështesë Kosovën në shumë fusha, e veçmas në procesin e liberalizimit të vizave. Natyrisht që biseduam edhe për rastin e ndalimit të ish Kryeministrit Haradinaj. Jam optimist se ai do të lirohet së shpejti”, ka thënë Hoxhaj pas takimit.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Kosovës për vitin 2017, ndërsa në ditët e ardhshme ai do të qëndrojë për një turne në Azi ku do të vizitojë disa disa shtete.

flamuri

Të ngjashme