Hoxhaj takon Osmanin, së shpejti mbledhje e përbashkët mes Prishtinës dhe Shkupit

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 15:21 | Nga Albulena Avdiu

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë, Bujar Osmani. Pas takimit, është mbajtur konferencë për medie.

Hoxhaj ka folur për raportet e shkëlqyeshme mes dy vendeve, duke përmendur mundësinë që në një të ardhme të afërt të ketë mbledhje të përbashkët të dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë.

Në takim është diskutuar për raportet mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit, përfshirë mbledhje të përbashkët mes Prishtinës dhe Shkupit.

 “Për ne, Maqedonia është një partner i fuqishëm edhe  politik meqë ka njohur dhe mbështetur Kosovën, por edhe një partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, meqë kemi shkëmbime intensive në mes të ekonomive tona, por edhe një partner shoqëror, që kemi shkëmbim në mes shoqërive tona dhe një pjesë e madhe e qytetarëve që jetojnë në Maqedoni dhe ne në Kosovë kemi një identitet të përbashkët, për çfarë edhe krenohemi”, theksoi zëvendëskryeministri Hoxhaj, duke shtuar se emërimi i z.Osmani si zëvendëskryeministër dhe përgjegjës për integrime evropiane në Qeverinë e Maqedonisë, flet se çfarë roli mund të kenë shqiptarët në rajon kudo që jetojnë.

 Nga ana e tij, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, u pajtua që mbajtja e mbledhjes së përbashkët do të jetë platformë e mirë e bashkëpunimit. Ai poashtu  theksoi se për Maqedoninë, Kosova është një prej miqve më të afërt politik dhe partner i rëndësishëm ekonomik, andaj ndërtimi i autostradës do të jetë prioritet.

 “Folëm edhe për çështjen e autostradës, ajo është arteria që lidh dy shtete, por lidh edhe rajonin në përgjithësi. Si qeveri e re e kemi vendosur si njërën prej prioriteteve kryesore. Kosova ka bërë pjesën e saj të punës dhe është në përfundim të punës. Maqedonia do të duhej që shumë shpejt të filloj në ndërtimin e pjesës së saj 13 kilometërshe për të bërë këto dy shtete ashtu siç janë të afërta politikisht dhe ekonomikisht, edhe në aspektin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave” ka thënë ai.

“Menduam se të kemi edhe një mbledhje të përbashkët të qeverive tona në Prishtinë e Shkup. Na presin shumë punë që të përgatisim ketë mbledhje por kemi pasur përvojë të mirë me mbledhjet ne Shqipërinë”, tha Hoxhaj, raporton EkonomiaOnline

Gjatë takimit u bisedua edhe për autostradën “Arber Xhaferi”, si projekt mjaft i rëndësishëm për të dyja vendet.

Të ngjashme