Hoxhaj takon sekretaren e Frankofonisë, pret përfitime nga programet e organizatës

Prishtinë | 05 Kor 2016 | 17:16 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Paris ka takuar edhe Sekretaren e Përgjithshme të Organizatës së Frankofonisë, Michaëlle Jean, të parin e këtij niveli që pas anëtarësimit të Kosovës të Kosovës në këtë organizatë, vitin 2014 në Senegal.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj e ka informuar Sekretaren për zhvillimet në Kosovë, dhe veçmas përkushtimin e Kosovës për të përmbushur kërkesat dhe obligimet si anëtarja me e re e Frankofonisë.

Po ashtu, në takim u konsiderua e domosdoshme përfshirja aktive e Kosovës si anëtare në programet e Frankofonisë dhe intensifikimi i një bashkëpunimi më të thellë.

“Jam shumë i kënaqur që takova Sekretaren e Përgjithshme, pasi një nga detyrat e mija të fundit si ministër i Jashtëm në mandatin e kaluar ishte angazhimi institucional për anëtarësimin në Frankofoni, në fund të vitit 2014 në Senegal. Në këtë samit, është zgjedhur edhe Sekretarja e Përgjithshme Jean, prandaj ky takim e pati simbolikën e vet. Por njëkohësisht biseduam për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe i premtova se Kosova do të jetë një anëtare aktive dhe shumë e përkushtuar”, ka thënë Hoxhaj pas takimit.

Sekretarja Jean, e mirë informuar për Kosovën, e ka siguruar ministrin Hoxhaj për mbështetjen e saj të plotë dhe të Frankofonisë në përkrahjen e Kosovës për të përfituar sa më shumë nga anëtarësimi në këtë organizatë.

Hoxhaj një ditë më parë, ka marrë pjesë në Samitin e Parisit, në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme