Hoxhaj u përgjigjet partive politike që refuzuan ta nënshkruajnë Paktin Kundër Korrupsionit

Prishtinë | 03 Sht 2019 | 17:38 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ftuar në emisionin Frontal të televizionit T7, ka thënë se i ka ftuar partitë e tjera që të mos vendosin në lista persona të cilët kanë aktakuzë të ngritur. Ai ka thënë se nëse subjektet e tjera politike kanë një qasje të tillë, atëherë mund të luftohet korrupsioni në vend.

“Edhe subjektet tjera politike duhet ta ndjekin një qasje të tillë, duhet të ketë kriter të brendshëm. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik nëse nuk adresojmë çështje të tilla. Ne do ta bëjmë një gjë të tillë dhe i ftojmë edhe subjektet tjera ta bëjnë të njëjtën gjë”, tha Hoxhaj.

Ai ka shtuar se kur do të hartohet lista për kandidatë për deputetë, do të bëhet përmes mirëkuptimit mes Kadri Veselit dhe atyre që e shprehin vullnetin për të kandiduar.

“Lista kur të hartohet është një lloj ballafaqimi dhe mirëkuptimi i dy vullneteve, Veselit, që është bartës i listës, kryetar e kandidat për kryeministër. Pas tij do të garojmë të gjithë ne. Se kush do të jetë në listë, është një lloj komunkimi mes Veselit dhe vullnetit individual (të kandidatëve)”, tha ai.

Ai ka shtuar se Pakti Kundër Korrupsionit nënkupton që jo vetëm në lista të ketë persona me aktakuza por edhe qeveria të mos ketë persona të tillë.

“Kjo nënkupton që në lista dhe në qeveritë e ardhshme nuk do të ketë njerëz me aktakuza të ngritura”, tha Hoxhaj në Frontal.

Sot gjatë ditës, kreu i PDK’së publikisht kërkoi nga partitë e tjera ta nënshkruajnë këtë dokument prej dhjetë pikave, i cili u quajt Pakti Kundër Korrupsionit.

Këto propozime nga Veseli po u duken qesharake zyrtarëve të partisë së Isa Mustafës, pra LDK-së. Sekretari i këtij subjekti politik, Ismet Beqiri, ka deklaruar për Express se ky propozim i PDK-së është pjesë e një fushate qesharake dhe të pakripë.

“Së pari duhet ta dimë se Veseli nuk është në pozitën të flasë për luftën kundër korrupsionit. Një pako e tillë dhe një kërkesë e tillë është hipokrizi. Me iu ofrua pako për nënshkrim të tjerëve për gjërat që PDK i ka bërë ndër vite, pra që nga qeverisja e pasluftës, është pak qesharake”, ka deklaruar Beqiri për Express.

Edhe këshilltari i Ramush Haradinajt, Erolld Belegu, i ishte përgjigjur ftesës së Kadri Veselit ndaj liderëve të tjerë të vendit për ta nënshkruar dokumentin prej dhjetë pikave për luftimin e korrupsionit. Duke thënë se sa është qesharake aq edhe e dhimbshme.

“Kadri Veseli thërret për luftë kundër korrupsionit. Qesharake apo e dhimbshme? Apo të dyjat?”, shkroi Belegu.

Edhe PSD-ja ka refuzuar ta nënshkruajë atë. Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

“PDK duhet të shkojë në opozitë. I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë që propozohet nga PDK-ja. Qytetarët do të vendosin me votë se kush do t’i përfaqësojë”, tha Kuçi.

Të ngjashme