Hoxhiq: Sikur të kishte më shumë gra në politikë lufta nuk do të ndodhte

Prishtinë | 21 Mar 2019 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Administratës në Komunën Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, është shprehur e bindur se edhe periudha e pasluftës do të kishte rezultate shumë më të mira sikur femrat të përfshiheshin në dialog, ndërsa ka vlerësuar se është përçmuar tej mase roli i femrës në procesin e pajtimit, shkruan Gazeta “Zëri”.

Shefja e Administratës në Komunën Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, e cila aktualisht drejton Komunën e Mitrovicës së Veriut pas dorëheqjes së kryetarit Goran Rakiq, ka vlerësuar lart rolin e femrës në punë dhe në institucione. Ajo madje ka shprehur bindjen se as lufta në Kosovë nuk do të ndodhte, ndonëse ajo e quan konflikt, sikur në atë kohë të kishte më shumë femra në politikë.

e Zyrës Administrative e Kosovës në veri, Adriana Hoxhiq, duke folur për radion “Kontakt Plus”, bashkë edhe me zyrtaren kryesore për financa në Komunën Veriore të Mitrovicës, Gordana Shugiq, ka thënë se në komunën veriore ka 66 të punësuar, nga të cilët 36 janë femra, ndërsa në pozita udhëheqëse nga 15 sa janë, 7 janë femra. Sipas saj, në të gjitha institucionet komunale të Mitrovicës së Veriut femrës i është dhënë rendësi e veçantë, se është rritur ndikimi i femrës në të gjithë sektorët dhe se kjo ka bërë që femra të luajë rol kyç në punën e administratës komunale dhe në sektorët tjerë, në arsim e në shëndetësi. “Në arsim kemi gjithsej 205 të punësuar, nga të cilët 99 janë femra, ndërkaq sa i përket shëndetësisë nga 111 të punësuar 68 janë femra, që do të thotë se femra është e përfaqësuar pothuajse në të gjithë sektorët me mbi 50 për qind. Nga 7 pozita drejtorësh në komunën veriore, tri janë femra e çka është më e rëndësishme në krye të dy drejtorive shumë të rëndësishme në Komunë, të Financave dhe të Infrastrukturës dhe Investimeve Kapitale, ndodhen femra, të cilat në kuadër të drejtorive të tyre ndihmohen nga shumë zyrtarë, që gjithashtu janë femra”, ka deklaruar Hoxhiq.

Ajo ka shtuar se kur bëhet fjalë për proceset politike femrat kanë ndikim më të vogël, sepse ato nuk janë të kyçura në proceset më të rëndësishme.“Femrat nuk janë përfshirë në procesin e dialogut dhe në këtë mënyrë roli i tyre në procesin e pajtimit është nënçmuar. Sikur numër më i madh i femrave të ishin të kyçura në politikë, sidomos para fillimit të konfliktit në Kosovë, jam shumë e bindur se nuk do të kishim luftë (Hoxhiq vazhdimisht luftën e quan konflikt), sepse ndikimi i femrës do të ishte i tillë që do të rezultonte eventualisht me ndonjë kompromis, në mënyrë që t’i ikej luftës (konfliktit). Jam e bindur gjithashtu se edhe periudha e pasluftës do të kishte rezultate shumë më të mira sikur të kishte femra të kyçura në procesin e pajtimit, sepse femrat do ta jepnin kontributin e tyre shumë më mirë sesa meshkujt kur bëhet fjalë për procesin e pajtimit, sepse femra është nënë. Nëna dëshiron të krijojë një rreth ku fëmijët e saj do të jenë të sigurt, asnjë nënë nuk dëshiron ta dërgojë djalin ose vajzën e vet në asnjë konflikt, eventualisht luftë, kështu që mendoj se roli i femrës në procesin e pajtimit definitivisht është përçmuar”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër zyrtarja kryesore për financa në Komunën Veriore të Mitrovicës, Gordana Shugiq, mendon se femra duhet të jetë më shumë e përfaqësuar në organet lokale të pushtetit dhe aty t’i tregojë të gjitha kualitetet. “Femra duhet të jetë e vetëdijshme për kualitetet, në mënyrë që t’i shfrytëzojë në çdo segment të jetës qoftë në familje, në shtëpi ose edhe në politikë. Ajo hapur duhet t’i përfaqësojë interesat tona dhe nëse është e nevojshme t’u kundërvihet qëndrimeve kundër barazisë në punë. Mund të them gjithashtu se femrat në shekullin 21 kanë arritur te një nivel, ku mund të tregojnë me përgjegjësi dhe me sukses vlerat e tyre si figura udhëheqëse politike botërore, në ekonomi. Femra duhet të krijojë nivel të njëjtë të respektimit në rrafshin lokal dhe në familjen e vet. Ashtu si është femra shtyllë e familjes dhe e shtëpisë, femra duhet të luftojë që të jetë shtyllë e fortë dhe e qëndrueshme e qeverisjes lokale deri te niveli qendror”, ka thënë mes tjerash Shugiq.

Të ngjashme