Hyn në fuqi vendimi i Qeverisë për ndalimin e qarkullimit (Dokument)

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të kryeministrit, Albin Kurti, ka zhvilluar mbledhjen e saj korresponduese, të pesëmbëdhjetën me radhë, në të cilën ka miratuar masat shtesë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe disa vendime të tjera të fushave të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.  

Sipas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së virusit COVID-19. Vendimi parasheh masat si në vijim:

1. Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

2. Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

3. Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;

4. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;

5. Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi në të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme që ka nën administrim. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Programi i Qeverisë 2020-2023 parasheh politika që mund të ndryshojnë statusin aktual të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe të ndryshojnë administrimin afatgjatë të pronës publike dhe shoqërore.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për anulimin e vendimeve të Qeverisë për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë dhe vendimet për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga themelimi i kësaj zone në zonat kadastrale të Banjës, Bellanicës dhe Senikut të Malishevës. Në arsyetimin e vendimit thuhet se këto vendime janë në kundërshtim me Ligjin.

Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumenti për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale. Koncept dokumenti ka analizuar dhe identifikuar qasjen e deritashme të komunitetit të biznesit, dhe kohëzgjatjen e trajtimit të lëndëve administrative që lidhen me çështjet ekonomike, e që vjen si rezultat i mungesës së kapaciteteve aktuale. Pas analizës së Procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe pas identifikimit të problemeve në zbatimin e ligjeve aktuale, Koncept Dokumenti ka rekomanduar ndryshimin e kornizës ligjore përmes hartimit të Ligjit të ri për Gjykatat Komerciale.

Kabineti ka shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumentin për Evidencën Qendrore Penale të Kosovës, i cili konstaton se Kosova është një nga vendet e rralla që kompetencat e mbajtjes së evidencës penale i ka lënë në kompetencë të administratës gjyqësore. Koncept Dokumenti rekomandon që të hartohet Ligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës i cili do ta përcaktonte Ministrinë e Drejtësisë si organ kompetent për administrimin e këtij sistemi.

Gjithashtu, Qeveria ka aprovuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2019. Raporti evidenton se të hyrat e përgjithshme për vitin 2019 kanë qenë në shumën 2 miliardë e 222 milionë e 920 mijë euro, ndërsa pagesat kapin shumën prej 2 miliardë e 152 milionë e 546 mijë euro.

Të ngjashme