Hyseni dhe Gjuriq takohen në Bruksel

Prishtinë | 30 Kor 2020 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Në Bruksel pritet të mbahet sot takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh.

Është ky takimi i dytë i tillë në një javë, që ndërmjetësohet nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Delegacioni i Kosovës kryesohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Në agjendë të bisedimeve sot pritet të jetë bashkëpunimi ekonomik, ndërsa një javë më parë palët biseduan për çështjen e të pagjeturve të luftës.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në nivelin më të lartë, ka rinisur më 16 korrik, me një takim midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidetit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga zyrtarët e lartë të BE-së.

Takimet në nivel ekspertësh nuk janë mirëpritur në Prishtinë, ku partitë opozitare, por edhe partnerët e koalicionit dhe presidenca kanë thënë se ato e zvarrisin arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Hoti, megjithatë, ka insistuar se me takimet e tilla ka nisur edhe draftimi i marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë.

Të ngjashme