Hyseni ia tregon “formulën” kryeministrit Kurti për dialogun ndaj Serbisë

Prishtinë | 08 Gus 2022 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Ish-koordinatori i Kosovës për dialogun ndaj Serbisë, Skender Hyseni, ka thënë se e përkrah plotësisht qasjen e kryeministrit Albin Kurti i cili të hënën deklaroi se është i interesuar të “diskutojmë elementet e marrëveshjes së përgjithshme”, teksa u shpreh për agjendën e mundshme të takimit të 18 gushtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Hyseni e quajti të mirë këtë deklaratë të shefit të qeverisë, ndërsa u shpreh se nëse ai këtë e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërësisht e gabuar.

Mes tjerash, Hyseni nëpërmjet një postimi në Facebookun e tij tentoi t’i shpjegojë disa taktika të dialogut Kosovë-Serbi.

“Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetem ate që ka rëndësi primare, e që është arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe, me automatizëm i zgjidhë të gjitha çështjet tjera midis Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, sepse kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quosë, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë.

Për Hysenin, Kurti duhet t’i kthehet formulës dhe platformës “që e kishim vendosur ne gjatë qeverisë Hoti, e cila konsistonte në qëndrimin se s’pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së pergjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo”.

“E Vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme. Marrëveshja e përgjithshme i bënë lehtë të zgjidhshme dhe madje tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta. Përderisa Serbia insiston se normalizimi mund të vie përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta, Kurti duhet të insistojë që s’pari duhet të ndodhë normalizimi dhe njohja, e pastaj zbatimi”, theksoi ai.

Ai thotë se Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta.

“Pra është formula serbe ‘përmes zbatimit deri te normalizimi’, ndërsa e jona duhet të jet ‘përmes normalizimit deri te zbatimi’. Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta. Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mosmbyllja e këtij problemi po reflekton shumë keq në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e invstimeve të huaja dhe në shumë fusha të tjera”, shtoi Hyseni.

Ai deklaroi se nuk e kupton që pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi për dialog, që sipas tij është vendosur nga pushteti i ish-kryeministrit Hoti më 2020.

“Nuk e kuptoj pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin e kemi vendosur në vitin 2020. Prandaj nuk jam shumë optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale të cilat edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme pa një marrëveshje të përgjithshme dhe njohje”, përfundoi ai.

Të ngjashme