Hyseni: Ujësjellësi “Prishtina” punonte me humbje, ndërsa u ndanë 110 mijë euro bonuse

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 19:48 | Nga Ekonomia Online

Bordi i përkohshëm i Ndërmarrjes Publike Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, i cili është emëruar së fundmi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkarkuar sot disa menaxherë të lartë, të cilët ishin në krye të mdërmarrjes.

Në lidhje me vendimin e fundit për shkarkimin e menaxhmetit ka folur kryesuesi i Bordit, Mentor Hyseni.

Sipas Hysenit, në tri vitet e fundit kjo ndërmarrje ka degraduar si në aspektin teknik ashtu dhe në atë financiar.

“Raportet e Auditori të Brendshëm dhe atij të jashtëm kanë treguar se në kohën e fundit, në vitet 2016/17/18 ndërmmarja si në aspektin teknik, ashtu edhe financiar ka degraduar aq shumë sa që prej 800 mijë euro fitim sa ka pasur në vitin 2016 ka rënë në 570 mijë euro në vitin 2018. Në aspektin teknik humbjet kanë shkuar duke u rritur deri në 58 %, që i bie qe 58% e ujit që e prodhon KRU-ja nuk mundet me u faturu dhe regjistrohet si humbje teknike” deklaroi Hyseni për “Front Online”.

Ai ka shtuar se edhe pse ndërmarrja ka punuar me humbje, ka paguar deri në 110 mijë euro bonuse për puntorë.

“Ka pasur edhe të gjetura tjera si: Pagesa e ndëshkimeve për kompaninë të cilës nuk i ka krijuar kushte ta implementojë projektin. Edhe pse ndërmarrja ka operuar në humbje ka paguar bonuse për puntorët deri në 110 mijë euro. Për këtë shkak jemi detyruar të marrim vendime të shpejta, pasi që në këto tri vitet e fundit ka degraduar ndërmarrja aq shumë sa që kemi pas frikë se do të vazhdon edhe me tej”, tha ai.

Arsyeja e mos shkarkimit të Auditorit të Brendshëm

Kryesuesi i Bordit të KRU ”Prishtina” tha se nga pozita menaxheriale nuk është shkarkuar vetëm Auditori i Brendshëm, i cili e ka paraqitur gjendjen siç është, por asnjëhër nuk është marrë parsysh nga ish-Bordi.

“Për me bindë opinionin se me nuk kemi bërë vlerësim selektiv ka qenë auditori i brendshëm, të cilin nuk e kemi shkarkuar për shkak të punës profesionale që ka bërë”, ka thënë Hyseni.

Ai ka potencuar se pas shkarkimeve të menaxherëve pozitat e njejta janë plotësuar me ushtrues detyre dhe për të mos ngecur punët kanë kërkuar që sa më parë te hapen konkurset dhe në bashkëpunim me Ambasadën angleze dhe shoqërinë civile do të zgjedhen personat e merituar për këto pozita.

Shkeljet e ish-Bordit procedohen te organet e drejtësisë

Sipas Hysenit, kanë kërkuar nga sekretari i ndërmarrjes publike KRU “Prishtina” që të iniciohen në organet e drejtësisë shkeljet ligjore që ka bërë Bordi i kaluar.

Përndryshe, Hyseni është emëruar ditë më parë në krye të Bordit të përkohshëm të Ujësjellësit “Prishtina”, për të cilin emërim mediet kanë raportuar për lidhjet e tij me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e drejton kryeministri Kurti.

Në lidhje me këto emërime kanë reaguar edhe partitë opozitare në vend.

Të ngjashme