Hyseni – Veliut: Nëse votat e sotme s’janë të vlefshme, si janë të vlefshme kur të njëjtit të zgjodhën ty

Prishtinë | 29 Jan 2022 | 13:23 | Nga Ekonomia Online

Hyseni – Veliut: Nëse votat e sotme s’janë të vlefshme, si janë të vlefshme kur të njëjtit të zgjodhën ty?

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka thënë se ka qenë kërkesë e delegatëve që ta organizojnë një kuvend të jashtëzakonshëm, e që sipas tij, dokumentin e kanë nënshkruar mbi 2/3 e delegatëve.

Hyseni mori 75 vota pro, nuk pati asnjë kundër dhe asnjë abstenim, teksa për këtë thotë se ndjenë përgjegjësi  të madhe.

“Ka qenë një kuvend që ka treguar një kulturë të jashtëzakonshme, si për nga mënyra e organizimit por edhe si proces”.

“Ky është një besim i madh i delegatëve që ishin aty, ndjejë përgjegjësi të madhe që me këta njerëz të punojmë procese të tjera dhe degën ta forcojmë akoma më mirë, të përfshijmë njerëz të rinj dhe të jetë dicka që të jetë edhe për sfidat e radhës që jam i sigurt se do të kemi sukses”, ka thënë Hyseni, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai ka komentuar edhe reagimin e ish-kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, i cili nuk mori pjesë në kuvendin e jashtëzakonshëm, i cili tha arsyeja se pse nuk merr pjesë në këtë kuvend është pasi që, sipsa tij, po tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, teksa procesin e quajti të jashtëligjshëm.

Hyseni pyeti Veliun se si mund ta quajë një proces të jashtëligjshëm, ku sipas tij, të njëjtit delegatë patën votuar edhe pro Agim Veliut për tu zgjedhur kryetar i LDK-së në Podujevë.

“Nuk e kam parë reagimin e Veliut, por ajo se çfarë mund të them është se ai vetë ka qenë i ftuar në këtë kuvend dhe nëse këta delegatë të cilët sot votuan dhe e zgjodhën kryetarin e ri nuk janë të vlefshme këto vota, atëherë si janë të vlefshme kur janë po të njëjtit delegatë që e kanë zgjedhur edhe Veliun”, ka thënë Hyseni.

Të ngjashme