Ibrahimi i krahason politikanët e Kosovës me ata të Afganistanit: Çdo devijim nga ShBA-ja është i barabartë me tradhti

Prishtinë | 17 Gus 2021 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Ilir Ibrahimi president i Bordit të Drejtorëve në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), tha se tërheqja e paraleleve ndërmjet Afganistanit dhe Kosovës nuk është aspak adekuat.

Kjo ngase sipas tij, ngjashmëria e vetme e tyre mund të jetë qasja arrogante dhe e papjekur që kanë treguar politikanët dy vendet ndaj interesave amerikane.

Ai në një postim në Facebook shtoi se interesi vital i Kosovës është rreshtimi përkrah interesave amerikane dhe se çdo devijim nga këto interesa është i barabartë me tradhti dhe nuk ka emër tjetër.

“Tërheqja e paraleleve ndërmjet Afganistanit dhe Kosovës nuk është aspak adekuat. Ngjashmëria e vetme ndoshta mund të jetë qasja arrogante dhe e papjekur që kanë treguar politikanët në këto dy vende ndaj interesave amerikane. Jemi dëshmitarë se Kosova në 4-5 vitet e fundit është treguar si një fëmijë i lazdruar në shitore të lodrave, të cilit nuk i pëlqen asnjë lodër dhe vetëm qan”.

“Me një papjekuri foshnjore e lehtësi frikësuese kemi injoruar këshillat dhe kërkesat e miqve, e këtë po vazhdojmë ta bëjmë fatkeqësisht ende. Interesi vital i Kosovës është rreshtimi përkrah interesave amerikane. Çdo devijim nga këto interesa është i barabartë me tradhti dhe nuk ka emër tjetër”.

“Sprovën e kemi përpara dhe mund ta dëshmojmë. Qasja e Kosovës ndaj bashkëpunimit rajonal dhe dialogut është testi që duhet të dimë ta kalojmë. Shenjat e para janë të frikshme dhe shqetësuese, por shpresoj të dalim nga ky delirium popullsitë dhe fillojmë të mendojmë përtej interesave të çastit”.

Të ngjashme